Nëse flasim për sportin në Lezhë, sigurisht që një emër të cilin kurrsesi nuk mund ta anashkalosh është ai I Pjetër Lesajt. Sportist, mësues I edukimit fizik, trajner dhe drejtues I klubit sportiv Besëlidhja.

Ai ka lindur në Spiten të Lezhës më 12 shkurt 1950 dhe banon në qytetin e Lezhës që nga viti 1971 e në vazhdim. Me punën e tij ka arritur të lërë gjurmë, por sot kemi vendosur të zhvillojmë një bisedë me të, për të mësuar më shumë gjëra rreth karrierës së tij.

Pjetër Lesaj ka pranuar me kënaqësi të flasë me gazetarin Engjell Gjolaj dhe të japë këtë intervistë për gazetën “Shkodra Sport” të cilën mund ta ndiqni më poshtë:


– Z. Lesaj faleminderit që pranuat ftesën për këtë intervistë…

Faleminderit juve!


– Shumëkush ju njeh si mësues, trajner por edhe drejtues I klubit Besëlidhja, por keni qenë edhe sportist. A mund të na thoni diçka më shumë në lidhje me karrierën tuaj?

Karriera ime ka qenë modeste. Kam filluar qysh në gjimnazin “Hydajet Lezha ” duke u marrë me atletikë në vitet 1964-68. Në këtë sport jam dalluar në vrapimet e shpejtësisë dhe kam marrë pjesë në kampionatet kombëtare. Në vitin 1968, në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Shkodër zura dy vende të para në garat 100m dhe në kërcim trehapësh. Me këto rezultate u grumbulluam në Korçë 15 korrik – 15 gusht 1968 (zbor atletik ) me atletët më të mirë të vendit. Në gusht të këtij viti fitova konkursin per studime në ILKF “Vojo Kushi ” Tiranë.

Për tre vite 1968- 1971 jam aktivizuar me ekipin e atletikës “Studenti”. Në vitin 1971 mbarova studimet në specialitetin atletikë kategoria e parë si dhe futboll kategoria e dytë. Pas kësaj iu përkushtova arsimit duke punuar si mësues I edukimit fizik.


– Sa vite keni punuar si mësues?

Si mësues I edukimit fizik kam punuar në vitet 1971- 1983 dhe jam emëruar në Shkollën Bujqësore në Lezhë. Kam punuar me një pasion të madh si me studentët, ashtu edhe me kolegët e mi të punës. Kemi marrë pjesë në shumë aktivitete sportive kombëtare.


– Diçka për karrierën si trajner?

Në fillim kam filluar si trajner volejbolli dhe atletike me vajza. Gjithë pasioni im sportiv është përqendruar në ngritjen e cilësisë sportive në qytetin tim të Lezhës. Në aktivitetet e para kombëtare për moshat 14- 16 vjeçe mund të përmend: Maria Fierza 100 m e 200 m, një kampione e vërtetë, 800 m Satbere Aliaj kërcim së gjati M. Deda. etj. Kam shumë emra të tjerë që nuk I përmenda ketu , por po mendoj për një libër spotiv ku patjetër do të shkruhen. Veprimtaria ime si trajner ka vazhduar deri në vitet 2001-2007 kur unë kryeja detyren e shefit të klubit të shumë sporteve të Besëlidhjes.

Gjatë një pune 3 vjeçare spikatën atletët e rinj: Manfred Koleci në shtytje gjyleje, Kristiana Pergjoka dhe Emigena Lishi në vrapimet e mesme e të gjata, të cilët u bënë kampionë të Shqipërisë për të rinj, por edhe pjesmarrës në disa aktivitete Ballkanike.

Për tre vite kam qenë trajner i ekipeve kombëtare dhe kemi marrë pjesë në disa aktivite Ballkanike si në Turqi , Serbi, Mal të Zi , Maqedoni, Greqi etj. Për t’u theksuar ka qenë rezultati i Manfred Kolecit në “Lojërat e Detit të Zi ” i cili klasifikohet në vendin e tretë duke marrë medalje të bronztë. Si dhe në Lojërat Olimpike për të rinj në 2007 -tën në Beograd ku u klasifikua i 17-ti ndër 55 shtete europiane.


-Për të plotësuar CV-në tuaj sigurisht që nuk mund të lëmë pa përmendur karrierën tuaj si drejtues. Na thoni diçka për të?

Në vitet 1983-85 kam qenë drejtor klubi I Besëlidhjes, në vitet 1986-1992 kryetar I Komitetit të Sporteve të Rrethit Lezhë, 1995-1998 drejtor I klubit shumësportësh Besëlidhja, 1999-2001 drejtor I klubit të bashkuar sportiv Besëlidhja, për të vazhduar me periudhën 2002-2007 ku ka qenë drejtor I klubit shumësportësh Besëlidhja ndërsa në vitet 2008-2015 kam qenë drejtor I klubit të bashkuar Besëlidhja . Këtu mbaron edhe karriera ime në sport ngaqë dola në pension.

Me këtë rast dua të falenderoj bashkëpunëtorët e mi drejtues: Lekë Miraj , Anton Vane, Nosh Çukaj , Berhan Golemi, I ndjeri Nikolin Lorenci etj. Dua të falenderoj specialistët që ndihmuan në rritjen e cilësive sportive të klubit Besëlidhja si ato të futbollit, Isuf Pelingu , Vasil Bici, Nikolin Lorenci, Ritvan Kulli , Esat Sadikun etj. të mundjes Nazim Molla, Altin Shtjefni. Po ashtu ato të atletikës Diella Dani , Gjeline Simoni e Gjergj Cungu, të basketbollit Kastriot Kodheli dhe Ylli Meziri, të çiklizmit Tonin Doda e Ndue Tusha, të volejbollit Rita Hasku dhe të qitjes Martin Miraj.

– Meqenese ju keni punuar edhe me futbollin diçka të veçantë që kujtoni ju?

Patjetër është fusha ime dhe dashuria për këtë sport ku unë kam derdhur lot. Ne vitin 1986 ka përfunduar tribuna e stadiumit Besëlidhja. Ishte kënaqësi për mua dhe gjithë tifozët lezhjanë. Kam shumë kujtime, por do veçoj disa: Unë në vitin 1989 kam shoqëruar si përgjegjës, ekipin kombëtar për të rinj në Lisbonë – Portugali. Kam ndier kënaqësi të dyfishtë sepse në ekipin kombëtar për të rinj ishin dy talentet lezhjanë Bledar Kola dhe Leonard Perloshi. Po ashtu, në vitin 1992 me ftesë të presidentit të futbollit të Monopoli – Itali kam marrë pjesë në një takim zyrtar.

– Më e veçanta për ju?

Në vitin 2000 ekipi i futbollit Beselidhja fitoi finalen me Besën e Kavajës dhe ne dolëm në kategorinë e parë. Aty kam ndjerë kënaqësinë më të madhe ku unë jam përlotur, lot gëzimi ku ju z. Engjell më keni filmuar dhe jeni dëshmitar i kësaj ngjarjeje.

– Po sot që ju e shikoni Besëlidhjen në kategori të tretë (siç quhej atëherë) çfarë ndjeni?

Ndiej dhimbje dhe patjetër derdh ( lot të thata)……
Intervistoi: Engjell GJOLAJ