– Jeni vlerësuar nga “Shkodra Sport” si “Personazhi më i mirë i vitit 2022”. Çfarë ndjesie përjetuat në atë ceremoni?
Në rradhë të parë, ju falenderoj ju si organizator i këtij eventi të mrekullueshëm, i cili u rikthye në Shkodër pas disa vitesh mungesë. Këto evente janë të rëndësishme për të krijuar një model edhe te rinia, në mëyrë që të ‘përqafojë’ sportin dhe sigurisht të rrisë kualitetin, duke bërë të gjithë sportistat të ndihen të vlerësuar. Uroj dhe shpresoj që vitin tjetër te kemi një spektakël në një dimension edhe më të madh se ky i sivjetshmi dhe të bëjmë një gjë edhe më te bukur në mbështetje të sportit, sigurisht dhe me mbështetjen e Bashkisë Shkodër.
– Meqenëse jemi në periudhë fundviti, a keni bërë një bilanc të arritjeve tuaja gjatë këtyre 365 ditëve?
Në lidhje me bilancin e vitit që po lëmë pas, unë mendoj se më duhet të ndalem në disa pika, ku më kryesorja është rikthimi te suksesi, sepse prej dy vitesh rradhazi Vllaznia arrin që te marrë Kupën e Shqipërisë, gjë që konsiderohet si unike dhe e papërsëritshme, sepse në të gjithë historinë e saj nuk ka ndodhur asnjëherë që Vllaznia të shpallet Kampione e Shqipërisë për dy vite rradhazi.
Me të vërtetë është nje arritje historike, gjë që na rikthen atë krenarinë dhe gezimin e natyrshëm që cdo shkodran, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e ka për ekipin e zemrës. Sigurisht që edhe pjesëmarrja ne kupat e Europës është një rezultat mjaft pozitiv, sepse ne arritëm të kalojmë deri në turin e dytë, pavarësisht që nuk ia dolëm të bënim me shumë. Mendoj se ishte një arritje, pasi edhe vetë UEFA na përgëzoi për mikpritjen model dhe stadiumi ynë, qyteti ynë, u largua nga ajo pullë e kuqe, që ishte prej vitesh në organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Mendoj që edhe te Akademia është bërë një punë cilësore. Sigurisht që ka vend për përmirësim. Kemi mungesë te theksuar infrastrukture, gjë që ndikon në rritjen e cilësisë. Megjithatë, fitimi i Kupës dhe kampionatit nga ekipi U-17 ishte një lajm i mirë. Qershia mbi tortë e gjithë këtyre sukseseve, është natyrisht pjesëmarrja ne UEFA Champions League e ekipit të Vllaznisë së femrave, të cilave u jemi shumë mirënjohës dhe duhet t’i shprehim shumë falenderime edhe presidentit Matija, me gjithë stafin e tij, me gjithë vajzat, për këte arritje historike që për ne ishte vitrina më e bukur e Vllaznisë, në elitën e futbollit Europian.
Sigurisht që gjithë këto suksese erdhën si shkak i punës së palodhshme, me përkushtim të të gjithë stadit, të trajnerëve, të të gjithë lojtarëve, pa harruar mbështetjen e tifozave, e cila është gjëja më e rendësishme në këtë proces, pavarësisht se nuk e kemi justifikuar plotësisht të gjithë atë bësimin e tyre këtë sezon, por shpresoj dhe uroj që vitin tjetër ta përmirësojmë punën tonë dhe të arrijmë në nivele shumë më të larta, në mënyrë që të realizojmë pritshmërinë e gjithsecilit prej tyre.
Implementimi i sistemit GPS, duke filluar që nga ekipi i parë, edhe te futbolli i femrave, është një indikator mjaft i rëndësishëm që ndihmon në rritjen sportive. Restaurimi i tapetit te ‘Reshit Rusit’ ishte një ngjarje që duhet shënuar, pasi është një gjë që u bë edhe falë bashkëpunimit me FSHF dhe Bashkinë Shkodër duke na shërbyer ne në lidhje me infrastrukturën. Shpresoj që brenda një kohe të shkurtër të gjejmë një zgjidhje në lidhje me infrastrukturën, bashkë me Federatën dhe Bashkinë, në mënyrë që të krijojmë një shtëpi futbolli për ekipin Vllaznia dhe pse jo për futbollin në përgjithësi në rajonin tonë.
Një falenderim i vecantë shkon edhe për sponsorat e Vllaznisë. Jemi munduar për një partneritet sa më miqësor dhe për këtë arsye kemi arritur që të marrim sponsorë cilësore. Dua t’i falenderoj në mënyrë të jashtëzakonshme, sidomos sponsorin gjeneral ‘Hospital One’, i cili mendoj se brenda janarit apo shkurtit do të jetë një ndër spitalet më të mira të rajonit, pa harruar sponsorat Intersig, Fujifilm, Brother Albamedia, Abissnet, Proper Pizza, uji ‘Qafë Mali’, uji ‘Mida’ dhe sponsorin Bavaria.
Mendoj që Vllaznia çdo ditë e më shumë po integrohet në formimin europian dhe në pjesëmarrjen e klubeve të përgjithshme ECA, ka krijuar kontakte të mira me klube me emër, duke parë pse jo mundësinë e bashkëpunimit për Akademinë dhe rrjetin e transferimit të lojtarëve. Mendoj që edhe me marketing është bërë një punë e mirë. Rregullisht njoftojmë publikun për të rejat më të fundit. Kemi krijuar besoj një imazh pozitiv dhe besoj se informacioni është me real dhe më konkret në rrjetet sociale. Gjithashtu vendosja e reklamave në ‘Loro Boriçi’ ka qënë një gjë mjaft e mirë, për të shtuar numrin e sponsorave për të sjellë të ardhura mbi klubin.
– Cili është urimi juaj për këto festa të fundvitit?
Të gjithë tifozave, të gjithë stafit, gjithë shkodranëve, shqiptarëve, ju shpreh urimet më të mira për Vitin e Ri 2023, ju uroj nje vit të shëndetshem, me mbaresi dhe lumturi në familjet e tyre. Suksese dhe për ju në vijimësi me misionin e informimit të publikut me të rejat më te fundit.
– Cilat janë objektivat dhe synimet tuaja për vitin 2023?
Në lidhje me objektivat dhe synimet për vitin 2023, sigurisht që Vllaznia ka hyrë me objektiva për të dalë Kampion, për të fituar Kupën dhe për të garuar në kupat e Europës. Ne natyrisht duhet t’i ndjekim këto objektiva. Kemi pasur analiza shumë të detajuara me stafin, me trajnerin, drejtorin teknik, zv. trajnerin. Ua kam cilësuar pakënaqësitë e mia në lidhje me rezultatet dhe gjendjen ku ndodhet tani ekipi jonë, kështu që duhet një kthim i shpejtë, sepse janë të gjitha mundësitë dhe nuk na mungon asnjë gjë.
Shpresoj që Vllaznia që në fillim të janarit, të ngjitet lart e më lart me rezultate pozitive në ndeshje. Sigurisht që më duhet ta mbyll me një falenderim për tifozërinë e mrekullueshme shkodrane, të cilëve u jemi shumë borxhli. Ata na kanë mbështetur me shumë dashamirësi dhe sigurisht që ne ndoshta nuk e kemi justifikuar në momente të caktuara mbështetjen e tyre.
Dua t’u them atyre që ne do të punojmë dhe do të japim maksimumin tonë, në mënyrë që te arrijmë rezultatet më të mira dhe sigurisht që do të realizojmë pritshmëritë e tyre.