Peshëngritësi shkodran Sajmir Lagja konsiderohet e ardhmja e këtij sporti jo vetëm në Shkodër, por edhe në Shqipëri. Një gjë e tillë është deklaruar mbrëmë edhe nga Mjeshtri i Madh i Peshëngritjes, Asim Belinova, në ceremoninë e organizuar nga “Shkodra Sport” për vlerësimin e 10-personazheve më të mirë të vitit 2022.

Gjatë këtij viti që po lëmë pas, Lagja ka arritur një rezultat të lartë, teksa është renditur në 10-sportistët më të mirë në botë në kampionatin botëror të 20-vjeçarëve që u zhvillua në muajin maj në Greqi. Në fakt, përveç kësaj arritjeje, nuk kanë munguar edhe sukseset në garat e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Për të gjitha këto arritje, gazeta “Shkodra Sport” vendosi të nderojë me çmimin “Personazhi i vitit 2022” peshëngritësin Sajmir Lagja. Ndërkohë, në një intervistë për “Shkodra Sport”, vetë peshëngritësi u shpreh se ndihet i lumtur për këtë çmim të fituar prej tij, ndërsa theksoi se në vitin 2023 do të bëjë të pamundurën për të arritur suksese të tjera.

“Vlerësimi nga “Shkodra Sport”? Ishte diçka emocionuese ky çmim nga “Shkodra Sport”. Faleminderit për vlerësimin.

Bilanci i këtij viti që po lëmë pas? Janë bërë dy kampionate shqiptare U-20, ku u shpalla kampion Shqipërie, njëherë në peshën 67-kg dhe njëherë tjetër në peshën 73-kg. Gjithashtu, isha pjesëmarrës në kampionatin botëror për moshat U-20, ku u rendita në vendin e 10-të në botë.

Urimi për festat e fundvitit? Një vit sportiv sa më të mbarë për të gjithë dhe normalisht, me sa më shumë medalje.

Objektivat dhe synimet për vitin 2023? Për vitin 2023 kemi gara të rëndësishme, kombëtare dhe ndërkombëtare, ku do të bëj të pamundurën që gjithë kjo kohë stërvitore të shpërblehet”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, peshëngritësi shkodran, Sajmir Lagja.
Maringlen ZHIVANI