Vetëm pesë ditë nga rifillimi i kampionatit shpërthejnë akuzat tek Erzeni. Në momentin kur skuadra duhej të ishte e qetë në prag të ndeshjes me Vllazninë, një përplasje mes drejtuesish ka bërë që të japë dorëheqjen drejtori i Sporteve në Bashkinë e Shijakut, Astrit Hoxha.

Ky i fundit ka dhënë zyrtarisht dje dorëheqjen nga pozicioni që mbante prej një viti, ndërsa akuzon drejtpërdrejt kryebashkiakun e Shijakut, Ardian Kokomani se kërkonte të shfrytëzonte për përfitime elektorale klubin e futbollit. Hoxha i ka qëndruar shumë afër skuadrës gjatë gjithë kësaj periudhe.

AKUZAT

Në një reagim ekskluziv për gazetën “Panorama Sport”, Hoxha shprehet: “Nga sot(dje) kam dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të Sporteve në bashki. Duke qenë se është vit zgjedhjesh, kryetari i bashkisë Ardian Kokomani më ka dhënë urdhra për të marrë dhe hequr lojtarë sipas dëshirave të veta elektorale.

Urdhra për të futur lojtarë në lojë apo për të federuar. Edhe lojtarë 16- vjeçarë më ka urdhëruar për t’i federuar. Karakteri im, këtë situatë nuk e pranonte dot. Si drejtor sportiv nuk kam tradhtuar asnjëherë ndjenjat e mia personale dhe të qytetit të Shijakut për dashurinë që kam për futbollin e këtij qyteti.

Erzeni është një ekip i përjetshëm, ndërsa njerëzit nëpër karrige shkojnë dhe vijnë”, u shpreh fillimisht Hoxha në reagimin e tij. Më tej, Hoxha vazhdon duke thënë:

“Për këto arsye që thashë, e kisha të pamundur që të qëndroja më në atë post dhe u detyrova të jap dorëheqjen. Këto që po them ia kam bërë të ditur të gjithë lojtarëve dhe stafit në takimin që kam pasur me ta”, deklaroi drejtori i Sporteve, Astrit Hoxha, tashmë i dorëhequr. Ndërkaq, Altin Keçi është rikthyer në rolin e administratorit të klubit.