Medaljet për Akademinë “Albania Xhudo Kodokan” nuk kanë të ndalur. 5 xhudistë të kësaj Akademie sërish kanë arritur të marrin 5 medalje në një turne të zhvilluar në Malin e Zi. Destinacioni kësaj here ka qenë Podgorica. Akademia “Albania Xhudo Kodokan” e drejtuar nga Presidenti Anton Shkoza ka qenë e ftuar për të marrë pjesë në kupën “Oslopodenja Podgorice”. Ky turne që është ndër më të mëdhatë në Malin e Zi është organizuar nga klubi vendas i xhudos “Milenijum Podgorica”. Aty kanë marrë pjesë disa shtete duke e bërë të fortë garën. Kështu në fund të turnout njëditor nga 12 xhudistë pjesëmarrës të Akademisë “Albania Xhudo Kodokan” 6 prej tyre janë kthyer me medalje. Rezultatin më të mirë për moshat e ka arritur Xhovan Shkoza i Vllaznisë i cili në peshën 50 kilogramë është shpallur më i miri i turnout duke marrë medaljen e arit. Më tej 5 medaljet e tjera i përkasin vendeve të treta. Përkatësisht në peshën 31 kilogramë Roland Vasfija i Vllaznisë ka zëbë vendin e tretë duke fituar kështu medaljen e bronzit. Të njëjtin sukses ka arritur edhe Amin Rexhamtaj në peshën 36 kilogramë teksa vjen nga ekipi “Club Judo” dhe ka fituar vendin e tretë e njëkohësisht medaljen e bronzit. Elvis Mhilli i Vau Dejës në peshën 60 kilogramë, edhe ky është klasifikuar i treti në këtë peshë duke koleksionuar një tjetër medalje bronzi. Rezultat pozitiv ka arritur edhe Lurjan Kaçi i Vllaznisë në peshën 66 kilogramë teksa ka zënë vendin e tretë duke marrë medaljen e bronzit. Po ashtu edhe Daniel Shkoza në peshën 73 kilogramë për skuadrën e Vau Dejës është pozicionuar i treti duke marrë medaljen e bronzit. Në këtë mënyrë “Albani Xhudo Kodokan” bën sërish një paraqitje shumë të mirë duke arritur përsëri rezultate të larta e medalje teksa pak ditë më parë në turneun “Adem Jashari” që u zhvillua në Kosovë arriti të merrte 12 medalje. Edhe kësaj here xhudistët janë drejtuar nga trajnerët Angjelin Dedaj dhe Aurora Shkoza. Xhudoja shqiptare me qendër në Vau Dejës dhe nën drejtimin e të apasionuarit Anton Shkoza po rritet me hapa të shpejtë, teksa medaljet në turnetë Ndërkombëtarë janë të shumta dhe tashmë synohet që këto rezultate të arrihen edhe në Kampionate Europiane e Botërore nga xhudistët e Akademisë “Albania Xhudo Kodokan”.

Xhudistët e Akademisë “Albania Xhudo Kodokan” që fituan medalje në Kupën “Oslbodenja Podgorice”:

31 kg – Roland Vasfija (Vllaznia) medalje bronzi
36 kg – Amin Rexhmataj (Club Judo) medalje bronzi
50 kg – Xhovan Shkoza (Vllaznia) medalje ari
60 kg – Elvis Mhilli (Vau Dejës) medalje bronzi
66 kg – Lurjan Kaçi (Vllaznia) medalje bronzi
73 kg – Daniel Shkoza (Vau Dejës) medalje bronzi