As shkarkime dhe as vendime nuk ka sjellë analiza 5 orëshe e Vllaznisë, zhvilluar në zyrën e kryebashkiakes Ademi paraditen e së enjtes. Ndryshe nga sa pritej, apo ishte shkruar në media për “koka turku”, çdo gjë ka kaluar me qetësi dhe mbi të gjitha është dhënë garancia e vazhdimit të punës për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ri.
Në këtë analizë përveç kryebashkiakes Ademi ka marrë pjesë edhe kryetari i këshillit Bashkiak, anëtarët e komisionit të sportit, ato të Këshillit Mbikëqyrës, administrata e klubit dhe trajneri Cungu.Nuk kanë munguar diskutimet, analizat, madje edhe polemikat për tema të caktuar. Takimi i nisur në orën 10.00, ka përfunduar rreth orës 15.00 teksa janë parë të dalin një e nga një nga Bashkia të gjithë pjesmarrësit në të. Asnjëri nuk ka pranuar të flasë duke ia lënë rradhën për këtë në daljem para mediave administratorit të klubit Astrit Gjyrezi që ka dhënë edhe konkluzionet e kësaj analize. “Ka qenë analiza e sezonit që lamë pas por edhe ajo e atij që po vjen. Kanë marrë pjesë të gjithë faktorët që kanë ndikimin e vet tek Vllaznia dhe besoj se më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër është se konkluzioni i kësaj analize është mbështetja që të gjitha strukturat duhet t’i japin stafit teknik për nisjen e punës për sezonin e ri. Ekipi do të dalë në stërvitje që nesër dhe baza do të jetë me lojtarë shkodranë por nuk do të mungojnë as blerjet.E rëndësishme është që Bashkia Shkodër dhe Këshilli Bashkiak na kanë dhënë mbështetjen për vazhdimin e punës”- është shprehur ai. Në lidhje me problemin e bllokimit të fondeve të Vllaznisë, Gjyrezi tha se është një çështje që do t’i gjindet zgjidhja, për të cilen edhe po punojnë në mënyrë juridike. Ndërsa, në lidhje me përbërjen e skuadrës, ai beri të ditur se do të jetë me bosht shkodran duke pasur edhe furnizim me element të rinj nga Akademia, ndërkohë do të ketë edhe ndonjë largim të ndonjë futbollisti që nuk është aktivizuar gjatë sezonit të kaluar. Lidhur me merkaton krahas bisedimeve me Edon Hasanin do të ketë edhe emra të tjerë futbollistësh cilësor që sipas kërkesës së trajnerit Cungu do të kontaktohen për veshjen kuqeblu.Nga ana tjetër, i pyetur nëse kishte polemika në këtë analizë apo për marëdhëniet e trajnerit Cungu me drejtorin Zeka, administrator i klubit i ka mohuar ato. “Polemika nuk ka patur, çdo gjë ka qenë shumë miqësore në kuadrin e një analize të zakonshme pune. Mosmarrëveshjet Cungu- Zeka? Nuk e di të ketë të tilla mosmarrëveshje sepse këtë nuk ma ka thënë as Cungu dhe as Zeka. Shumë shpejt keni për t’i parë sëbashku duke bërë planet për sezonin e ri”- ka thënë administratori i klubit.Vllaznia do të nisë nga puna që nesër për të nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Të gjithë duan një skuadër ndryshe megjithatë duhet të presim.
© shkodrasport.com