Peshëngritësi i njohur shqiptar Daniel Godelli, ka rifituar të martën pafajësinë, teksa ishte deklaruar vitin e shkuar se kishte rezultuar pozitiv për përdorim substancash të ndaluara. Në fakt, në ditët e para të korrikut të vitit të shkuar, pati qenë vetë shtangisti që kishte bërë të ditur se kishte rezultuar pozitiv për doping, për një substancë që, sipas tij, nuk ka lidhje me sportin që ai ushtron dhe, për këtë arsye do të kërkonte analizimin e testit B, ku besonte se do të faktonte dhe do të paraqiste çdo provë që zotëronte për të provuar pafajësinë e tij.
Dhe të martën, ka qenë sërish vetë 32-vjeçari që ka deklaruar në mëngjes ka marrë një e-mail, të cilin po e priste që në shtator të 2023-shit, nga ITA (International Testing Agency). “E-maili- i sotëm faktoi pikërisht këtë gjë, që substanca e gjetur në trupin tim “Ostarinë” ishte një substancë e ardhur aty nga një suplement ushqimorë i cili rezultoi nga analizat në laboratorët e Agjencisë Anti-Doping, si suplemente i kontaminuar, – shkruan Godelli në sqarimin e tij.
Që do të thotë se suplementi ushqimor që unë kisha përdorur, në listën e përbërësve të tij tregonte vetëm vitaminat, aminoacidet dhe suplementet ushqimore të lejueshme për të ndihmuar trupin të rigjenerohet dhe përballojë ngarkesën stërvitore, gjë për të cilën unë e kisha blerë dhe po e përdorja duke e kontrolluar mijëra herë, qoftë etiketën e tij (sikurse bën çdo sportist i nivelit të lartë me çdo produkt, madje edhe me një aspirinën), qoftë edhe online duke kërkuar mos kishte ndonjë shkrim apo koment negativ në lidhje me të.
Në e-mail-in e sotën vërtetohet nga ekspertët e Agjencisë Botërore Anti-Doping se, suplementi numër 3 është i kontaminuar, domethënë përmban diçka tjetër në përbërjen e tij, që nuk është e deklaruar publikisht dhe ajo ishte pikërisht produkti i ndaluar ostarinë në masën 3.5 ng për kapsulë. Gjë të cliën unë nuk kisha sesi ta dija”, – përfundon sqarimin e tij në një postim në rrjetet sociale peshëngritësi Daniel Godelli.