Peshëngritja shqiptare është jashtë Lojërave Mesdhetare të Tarragonës, që do të zhvillohet në muajin qershor, dhe Olimpiadës së ardhshme “Tokio 2020”.
Një vendim ky i publikuar pas një proteste dhe debati të ashpër të drejtuesve të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe disa peshëngritësve, së bashku me trajnerët e tyre.
Por, durimi me sa duket i një situate deri diku të pazakontë ka kaluar çdo limit diskutimi mes përfaqësuesit të KOKSH-it, zv.presidentit Vojo Malo, në fillim me kampionin e trefishtë të Europës, Briken Çalja, pas akuzave për doping.
Më pas, acarimi shkoi deri në kontaktin fizik mes zv.presidentit Malo dhe peshëngritësit Erkand Qerimaj.
Pas rezistencës së peshëngritësve dhe tentativës për t’u mbyllur në ambientet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, drejtuesit e KOKSH-it u detyruan t’i dërgojnë një paragraf të vendimeve të Komitetit Ekzekutiv, ku përmendej vendimi i pezullimit të Federatës së Peshëngritjes.
Ndërkohë, sportistët, me një Federatë të pafuqishme për t’i mbështetur, kanë vendosur të merren vet me hapat në vijim.
“Ne do të ndërmarrim hapat e nevojshme, do të protestojmë dhe do t’i hedhim në gjyq, pasi kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut.
Nuk kemi faj ne pse keqmenaxhohet Federata. Ky është një sport individual, gjithkush mban përgjegjësi për analizat e veta”, shprehet Erkand Qerimaj.