Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka zhvilluar analizën e saj vjetore, ndërsa mbi 35 medalje të fituara, atje ku spikasin ato të Briken Caljes në Evropian dhe Botëror, e bëjnë të kënaqur presidenti Theodhor Masllavica, që për RTSH Sport do të deklaronte: “Viti 2019 ka qenë një vit plot-plot suksese duke nisur me të mirat dhe të këqijat që kemi pasur.

Por një gjë duhet theksuar se ne kemi marrë 35 medalje ndërkombëtare. Këto 35 copë medalje ndërkombëtare kanë qenë pa doping”. Ndërkohë Calja dhe Qerimaj kanë siguruar në një përqindje të madhe kualifikimin për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Edhe pse do të kishte dashur më shumë, Masllavica e riktheson se ky numër ka qenë i kufizuar për shkak të dënimeve të mëparshme nga rastet e dopingut. “Neve – thotë Masllavica – jemi penalizuar nga dopingu, që do të thotë se nuk mund të merrnim pjesë në këto Lojëra Olimpike me më shumë se sa dy sportistë”.

I pari i peshëngritjes shqiptare ka marrë premtime nga Ministria e Arsimit. Sportit dhe Rinisë për mbështetje specifike për një përgatitje të mirë të Caljes dhe Qerimajt në prag të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. “Bashkëpunimi që kemi dhe çfarë kemi biseduar me Ministrinë dhe me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar kemi arritur të krijojmë një bazë materiale si për Briken Caljen, ashtu dhe për Erkand Qerimajn, ndërsa do të jenë të ndihmuar nga ana financiare nga Federata për t’u përgatitur dhe për të sjellë më në fund një medalje olimpike”.

E ndërkaq medaljet e Franko Ferrës dhe Kleopatra Saliajt në Kampionatin Evropian të moshës deri në 15 dhe 17 vjeç në Izrael e bëjnë Masllavicën të ndihet mirë për të ardhmen e shtangës shqiptare. “Këtu është puna jonë e Federatës sonë bashkë me trajnerët dhe kryesinë. Tregon që kemi arritur të kemi të ardhmen, ndërsa pas gjashtë vitesh vijnë medaljet ndërkombëtare për moshat, sidomos për paratërinjtë”, ka përfunduar Masllavica.

E me votimet e delegatëve janë shpallur dhe sportistët më të mirë që ishin Briken Calja, Daniel Godelli, Erkand Qerimaj, Samuel Bishanaku, Arbër Çerçizaj, Kleopatra Saliaj, Kristi Ramadani, Krenar Shoraj, Eros Roshi dhe Franko Ferra.

Po kështu është votuar dhe për këshillin e trajnerëve, i cili do të përbëhet nga Hektor Shaqiri, Sokol Bishanaku, Amarildo Gjyla, Asim Belinova dhe Ervis Tabaku. Siç shikohet, pjese e ketij keshilli jane edhe dy shkodranet Belinova e Bishanaku. E në këtë mënyrë peshëngritja shqiptare premton për më shumë rezultate të mira në 2020-ën, sidomos ndërkombëtare.
Marre nga “Gjergj Vyshka Google News”