Ka qenë një nga shtyllat e programit të tij kur kandidoi për postin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe tanimë duket se po e bën realitet. Bashkë me një kryesi të re dhe një Sekretar të ri të Përgjithshëm, Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica, ka përvijuar edhe një mendësi të re në punën për përgatitjen e sportistëve shqiptarë.

Dhe trajneri i huaj për peshëngritjen, do të përgatisë Kombëtaren për Evropianin e ardhshëm. Bashkëpunimi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes me Federatën Botërore të shtangës do të sjellë në Shqipëri një trajner të huaj për të drejtuar skuadrën kombëtare për një periudhë 3-mujore, me objektiv për të përgatitur ekipin kombëtar të shtangës për Kampionatin Evropian, që do të zhvillohet në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Propozimin e emrit dhe bekimin e ardhjes së një trajneri të njohur në krye të Kombëtares së peshëngritjes do ta bëjë pikërisht Federata Botërore e këtij sporti, e cila ka premtuar ta ndihmojë Federatën Shqiptare të Peshëngritjes pas një periudhe të trazuar dhe pas ndryshimeve që u bënë në kryesi e presidencë.

Ky është një tjetër hap përpara nga ana e kreut të ri të organizmit që qeveris peshëngritjen në vend, Theodhor Masllavica, i cili ka bërë një punë të madhe për të luftuar plagën e madhe të dopingut.

Para se të çojë sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitetet ndërkombëtare, Federata u kërkon atyre të bëjnë atyre testin anti-doping, për të evituar kështu ndonjë skandal që sjell pasoja për ekipet kombëtare dhe shtangën shqiptare në tërësi. Deri më tani shenjat janë të mbara, ndërsa vëmendja po zhvendoset gradualisht tek brezi i ri i shtangistëve shqiptarë.