Peshëngritësit e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në garat e kampionatit kombëtar të moshave U15, U17 dhe U20 që janë zhvilluar ditën e shtunë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit duke zënë disa vende të para.
Ekipi shkodran nën drejtimin e trajnerit Artur Lagja është paraqitur në këtë kampionat me 5 sportistë, kryesisht të gjithë në moshë të re, por ata kanë treguar vlerat e tyre duke tregur se premtojnë shumë për të ardhmen.
Kështu, në peshën 55 kg ka konkurruar 13 vjeçari Antonino Mullisi i cili ka arritur të ngrejë 60 kg në shkëputje dhe 80 kg në shtytje duke u renditur i pari për grupmoshën U15, por njëkohësisht i dyti për atë U20. Një paraqitje e tillë shumë e mirë e këtij sportisti me shumë të ardhme, ka bërë që stafi i ekipit kombëtar ta grumbullojë për garat e ardhshme.
Një tjetër 13 vjeçar që ka konkurruar në kampionat me fanellën e Vllaznisë ka qenë edhe Ergi Zaganjori. Ai ka konkurruar në peshën 61 kg duke ngritur 30 kg në shkëputje dhe 45 kg në shtytje duke u renditur i pari për grupmoshën U15. Po në këtë peshë ka konkurruar edhe sportisti Klevis Bazi. 14 vjeçari me 40 kg në shkëputje dhe 60 kg në shtytje është renditur i pari në grupmoshën U17.
Shumë i suksesshëm ka qenë edhe sportisti Driland Ibërshimi. Në peshën +102 kg, ndonëse vetëm 15 vjeç, ai është renditur i pari jo vetëm për moshën e tij por edhe për atë U20 duke u shpallur kampion kombëtar i kësaj peshe teksa ka arritur të ngrejë 85 kg në stilin e shkëputjes dhe 97 kg në shtytje.
Megjithatë duhet thënë se rezultatin më të mirë ndër sportistët e Vllaznisë e ka arritur peshëngritësi Saimir Lagja. Ai ka konkurruar në peshën 67 kg dhe ka arritur të ngrejë 97 kg në stilin e shkëputjes dhe 120 kg në shtytje. Me këto rezultate, Lagja është renditur i pari jo vetëm për kategorinë U17, por edhe atë U20 sepse rezultatet e tij kanë qenë të larta.
Në renditjen ekipore të kampionatit U20, Vllaznia zuri vendin e katërt. Kuptohet që edhe ky është një rezultat për t’u vlerësuar sepse ajo u paraqit me vetëm 5 sportistë, nga 10 që kanë patur ekipet e tjera dhe për më tepër, disa prej tyre në moshë shumë të re, por janë premtues për të ardhmen.
Këtë e tregon më së miri fakti që tre prej këtyre sportistëve janë grumbulluar me ekipin kombëtar që po përgatitet në Durrës për Kampionatin Botëror dhe pikërisht Saimir Lagja, Antonino Murrisi dhe Driland Ibërshimi./SHKODRA-SPORT.COM/