Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë është mundur mbrëmjen e të enjtes nga Spanja me rezultatin 3-0, në takimin e tetë të vlefshëm për Grupin 2, në kualifikueset të Kampionatit Europian për 21vjeçarët.

Kjo në transfertë ndaj Spanjës ishte disfata e tretë radhazi për kuqezinjtë në këtë fushatë kualifikuese që i është drejtuar fundit të dështuar.

Pas tetë ndeshjesh, Shqipëria numëron vetëm 6 pikë dhe renditet në vendin e pestë në Grupin 2, për të lënë pas vetëm Estoninë që ka vetëm 1 pikë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Spanjës ka siguruar prej kohësh kualifikimin, pasi kryeson e vetme grupin në kuotën e 21 pikëve në 7 ndeshje, plot 9 pikë më shumë se Sllovakia e vendit të dytë.

Kuqezinjtë u ndëshkuan që në fillim të takimit, teksa në minutën e 5’-të ishte Oyarzabal ai që kaloi Spanjën në avantazh. Një epërsi e pacënuar kjo e spanjollëve, të cilëtë në pjesën e dytë, në minutën e 56’ kanë dyfishuar shifrat me Mayoral.

Sikur të mos mjaftonte, spanjollët kanë ndëshkuar portën kuqezi edhe në minutën e dytë shtesë, për të sigluar rezultatin final në shifrat 3-0.

Pas kësaj fitore, Spanja ka vendosur rekordin në këto kualifikuese, teksa bashkë me Francën në Grupin 9 mban pikë të plota, me shtatë fitore në po aq ndeshje.

U-21/Spanjë-Shqipëri 3-0

Shënues: Oyarzabal 5’, Mayoral 56’, Mir 90’+2

Spanja: Simon, Adames H, Mere, Nunez, Mafeo, Merino, Zubeldia Elorza, Oyarzabal, Fornals, Soler, Mayoral.

Shqipëria: Selmani, Hakaj, Maloku, Tafa, Kryeziu, Sulejmanov, Ramadani, Bare, Doka, Durmishaj, Abazaj.