E ka drejtuar për disa vite, ka arritur me të rezultate të jashtëzakonshme por ka edhe shumë pengje të parealizuar. E kemi fjalën për “trajnerin e shekullit” të SK Vllaznia në sportin e peshëngritjes, Petrit Hoxha. Ai në një prononcim të dhënë në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, ka folur për periudhën e drejtimit të ekipit të peshëngritjes së Vllaznisë, sukseset e arritura, sportistët elitarë me të cilët ka punuar, duke u ndalur veçanërisht tek Dedë Dekaj të cilin e konsideron më të madhin e gjithë historisë së peshëngritjes shqiptare, një sportist të krijuar nga Zoti, siç thotë ai.

“Kam përjetuar emocione pa fund, nuk mund ta fsheh, pasi të shpallesh trajneri më i mirë i shekullit për qytetin e Shkodrës në sportin e peshëngritjes, kuptohet që absolutisht je ndër trajnerët më të mirë të krejt Shqipërisë. E kam
thënë gjithmonë se Shkodra përbën thelbin dhe bazamentin e sportit shqiptar dhe këtë nuk e them vetëm për
peshëngritjen, por për të gjitha llojet e sporteve. Dhe prandaj, të triumfosh në Shkodër, për mua do të thotë se ke
triumfuar në Shqipëri.

Unë kam punuar me sportistë të të dhjetë peshave, duke filluar nga Genc Barkiçi tek pesha më e vogël e për të vazhduar me emra të tjerë të mrekullueshëm si Sokol Bishanaku, Pëllumb Alia etj. Në grupin që unë drejtoja kam patur 18-19 sportistë, ndërsa komplet në karrierën time sportive, kam kaluar nëpër duart e mia rreth 60 sportistë. Nga këto, 18 kanë qenë sportistë të përfaqësisë, pra sportista që kanë përfituar edhe trajtimin ushqimor, 8 sportistë kanë qenë anëtarë të ekipit kombëtar dhe numrin e medaljeve të fituara me to e kam patur më të madhin se çdokush tjetër.

Kam patur rekordmenë në pesha të ndryshme, Genc Barkiçin në peshën e parë, Sokol Bishanakun në peshën e katërt dhe Dedë Dekajn në peshën e dhjetë, plus edhe sportistë të tjerë si Artur Lagja, Dritan Zaganjori, Paulin Lojzi e me rradhë.

Periudha që unë kam punuar tek Vllaznia ka koinçiduar me rezultate të mira, falë punës së bërë dhe shoqëruar me shumë
tituj kampionë e Kupa Republike të fituara. Kulmi i karrierës time padiskutim ka qenë pjesmarrja në Olimpiadën e vitit 1992 në Barcelonë ku nga katër peshëngritësit shqiptarë që morën pjesë, tre prej tyre ishin shkodranë dhe ata
performuan në mënyrë të jashtëzakonshme.

Mendoj se rezultati i Dedë Dekajt në këtë Olimpiadë, edhe sot e kësaj dite, ndonëse kanë kaluar 28 vjet, është një
rezultat që duhet respektuar dhe mbajtur në konsideratë nga të gjithë brezat e sportistëve dhe nga të gjithë
specialistët dhe trajnerët e këtij sporti.

Nuk do të ishte e tepërt mendoj unë që të themi se Dedë Dekaj është sportisti absolut më i mirë shqiptar i të gjitha
kohërave. Dedë Dekaj e la sportin kur filloi të lulëzonte dhe ky është padyshim pengu më i madh i imi që lamë pa
realizuar një ëndërr të madhe. Deda ishte një sportist që rezultatet e tij do të kishin mbijetuar jo vetëm dekadave,
por ndoshta edhe shekujve për ne shqiptarët.

Ishte një sportist i jashtëzakonshëm, një sportist që e kishte krijuar Zoti për këtë lloj sporti. Unë si trajner kisha një komunikim të jashtëzakonshëm me të, më kuptonte pa hapur gojën, kishte një intuitë të lindur për sportin e
peshëngritjes dhe një zhvillim progresiv të këndshëm në drejtim të përgatitjes fizike, teknike, por edhe taktike në
garë. I kuptonte menjëherë dhe i kthente në veprim ato çfarë duhej të bënte dhe që ne i mendonim para dhe gjatë garës.

Greqia në ato vite i dha emër vendit përmes sportit të peshëngritjes dhe më së shumti prej shqiptarëve që u natyralizuan si grekë e këtu e kam fjalën për Piro Dhimën, Luan Shabanin, Agim Xhelilit etj.Në atë kohë ishte edhe
Dedë Dekaj. E kam thënë edhe më përpara, kur u zhvilluan Lojërat Mesdhetare në Greqi, erdhi tek pedana jonë dy
trajnerët e ekipit kombëtar grek, trajneri i parë dhe trajneri i dytë dhe na premtuan mua dhe Dedës shumë gjëra dhe na thanë që të rrinim në Greqi ku mua si inxhinier do të garantonin punën dhe po ashtu edhe Dedës me sportin.

Gara po fillonte dhe për pak dështuam edhe provën sepse ata donin të merrnin fjalën tonë në ato momente.Më pas punët nuk rrodhën ashtu si duhet. Mbase edhe ndonjë nga sportistët tanë ndikoi për keq në këtë mes që përmes Federatës greke të peshëngritjes, Deda nuk duhej të vazhdonte më tej. Ai duhej të stopohej si sportist i niveleve të larta, me performancën dhe shkëlqimin e tij.

Kjo pasi në peshën e Dekajt konkurronte një grek dhe vetë ata kishin interes që të shkëlqente ai dhe jo Deda. Unë edhe sot e kësaj dite jam i mendimit dhe sportistit tonë iu bë një tradhëti dhe një një mashtrim i jashtëzakonshëm dhe për këtë më vjen keq sepse kemi të bëjmë me një ëndërr të parealizuar, të paktën mes meje dhe atij.
Gjergj KOLA