Petrit Hoxha: Edhe më 1992 kemi marrë pjesë me 4 peshëngritës në Olimpiadë
Në disa media, ditët e fundit është trumbetuar fakti që për herë të parë peshëngritja shqiptare ka arritur të sigurojë të drejtën të marrë pjesë në Olimpiadë me katër sportista këtë herë. Por nuk mendojnë kështu, dy shkodranë që kanë qenë protagonistë të një pjesmarrje tjetër me kaq sportistë në një Olimpiadë të kaluar. Bëhet fjalë për atë të vitit 1992 kur Shqipëria u përfaqësua me katër peshëngritës nga të cilët tre prej tyre kanë qenë shkodranë dhe pikërisht Genc Barkiçi, Sokol Bishanaku dhe Dedë Dekaj. Përveç tyre, ka qenë edhe shkodrani tjetër, trajneri Petrit Hoxha.Ka qenë ky I fundit, që ka reaguar fillimisht për këtë gjë. “Mediat duhet të jenë të sakta në këtë drejtim. Kemi marrë pjesë edhe në Olimpiadën e vitit 1992 me katër peshëngritës dhe jo vetëm këtë herë që kemi siguruar këtë të drejtë”-ka thënë ai.