Gjatë këtyre ditëve ka qenë në Shkodër edhe ish- trajneri i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare të peshëngritjes, Petrit Hoxha. Ai prej vitesh jeton me familjen e tij në Gjermani megjithatë nuk mund të qëndrojë larg vendit të tij të cilin e viziton shpesh. Ka ndodhur kështu edhe këto ditë dhe kur vjen në Shkodër kuptohet që nuk mund të qëndrojë pa takuar ish- sportistë dhe kolegë të tij apo pa vizituar palestrën e peshëngritjes. Ka ndodhur kështu edhe këtë herë megjithatë njeriu që ka nxjerrë një sportist si Dedë Dekaj, një nga më të mëdhenjtë e sportit shqiptar, nuk është shumë i kënaqur me gjendjen e peshëngritjes shkodrane.

“Më vjen keq por këtë sport nuk e shoh në një gjendje të mirë në klubin Vllaznia. Nuk më kënaq mënyra si punohet dhe kjo duhet ndryshuar sa më shpejt. Duhet një përqendrim i forcave tek të gjitha palët në mënyrë që të rikthehet tek nivelet e larta sërish sepse Shkodra e ka traditë këtë sport, e ka në gjak atë dhe duhet bërë shumë kujdes për rritjen e cilësisë sportive”- ka thënë ai për gazetën www.shkodrasport.com