Milani duket se është rikthyer ai i ditëve më të mira, të paktën në ndeshjet e zhvilluara gjatë 2019-ës.

Me afrimet e brazilianit Paqueta dhe të polakut Piatek, kuqezinjtë kanë koleksionuar vetëm rezultate pozitive. Ai që ka marrë të gjithë vëmendjen me golat e tij në kampin kuqezi është sulmuesi polak, i cili ka realizuar 7 gola në 6 ndeshje me Milanin, duke thyer edhe rekorde me golat e tij.

Në Europë, “Pistolero” është vënë në ndjekje të Lionel Messit. Ai ka realizuar këtë sezon 26 gola në 27 ndeshje të luajtura; 18 në Serie A, nga të cilët 13 me Genoa-n dhe 5 me Milanin, si edhe 8 gola në Kupën e Italisë. Ndërkohë, argjentinasi i Barcelonës është në kuotën e 30 golave në 31 ndeshje.

Në Itali, Piatek bëhet futbollisti i dhjetë që ka shënuar të paktën katër gola në një sezon të vetëm të Serie A me dy skuadra të ndryshme.

Por te Milani, Piatek theu rekorde me golin e shënuan mbrëmjen e së premtes në fitoren 3-0 ndaj Empolit. Në vitin 1998, gjermani OIiver Bierhoff kishte shënuar në katër ndeshjet e para me fanellën e Milanit. E tashmë, polaku realizoi edhe në ndeshjen e pestë radhazi me Milanin.

Shifra të frikshme të cilat kanë bërë që tifozëve të Milanit t’iu rikthehet dashuria për futbollin.