Kamza arriti të kualifikohej për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë pas fitores minimale 1-0 në ndeshjen e djeshme ndaj Vllaznisë. Një sfidë e luftuar në fushë, ndërsa ka prodhuar edhe shumë momente pikante. Në qendër të shumë situatave qesharake ka qenë gjyqtari kryesor, Olsid Ferataj. Ja disa prej momenteve pikante në ndeshjen e djeshme.
-Rreth 700 sportdashës ishin dje të pranishëm në stadiumin “Fuat Toptani” të Kamzës që ndoqën ndeshjen. Vetëm disa prindër lojtarësh shkodranë ishin të pranishëm nga ana e tifozërisë mike.
–Në minutën e 17-të, Zogaj i Vllaznisë gjuan fuqishëm një top që godet në kokë gjyqtarin kryesor, Ferataj, dhe më pas përfundon te një lojtar i Kamzës. Ka të qeshura në stadium.
–Në minutën e 23-të, gjyqtari Ferataj njoftohet se diçka është hedhur në fushë, ndërpret lojën dhe kërkon rojet e sigurisë. Por, në vendin ku ai pretendonte nuk kishte asnjë tifoz, përveçse një invalidi me karrocë duke dalë blof. Ka përsëri të qeshura në stadium.
-Në minutën e 79-të, kur Rezi po dilte nga fusha për t’u zëvendësuar me Mumajesin, po mundohej të vononte lojën, ndërsa gjyqtari i afrohet dhe po mbante dorën te xhepi. Arrabal kujtoi se po i nxirrte kartonin e verdhë dhe shkon me vrap, por Yzeiraj e qetëson, ndërsa nuk i nxjerr fare karton.
-Në minutën e 81-të, kryesori Ferataj u drejtohet tifozëve të tribunës qendrore që të mos i binin bilbilit, por duket se nuk ka dëgjuar si duhet, pasi asnjë bilbil nuk u dëgjua në stadium.
-Në minutën e 61-të dëmtohet rëndë kapiteni shkodran, Gilman Lika. Një goditje me bërryl nga Qaqi në zonë gjatë një kërcimi për topin e parë e ka goditur pa qëllim në fytyrë ku ka dëmtuar rëndë mollëzat e fytyrës duke pësuar frakturë. Pasi ka marrë mjekimin e parë në qendrën spitalore të Kamzës, është nisur me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak për mjekim më të specializuar.
-Pas ndeshjes së djeshme, Kamza do të përballet me Skënderbeun në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Takimi i parë do të luhet më 13 mars, ndërsa ai i kthimit më 27 mars.
-Pas eliminimit të djeshëm nga Kupa, Vllaznia do të përqendrohet tashmë vetëm në kampionat. Synimi i skuadrës shkodrane është vendi i parë në Grupin A dhe rikthimi në Superiore./panorama-sport/