Sot u luajt edhe takimi i javës së 5-të të Superiores mes Vllaznisë dhe Kastriotit. Ndeshja e zhvilluar në “Loro Boriçi” përfundoi në shifrat 1-0 për shkodranët.
“Shkodra Sport” pas përfundimit të duelit sjell edhe disa të “veçanta” për gjithë lexuesit dhe tifozët shkodranë.

-Prani e pakët tifozësh në shkallët e stadiumit. Duket se rezultatet e fundit të Vllaznisë kanë ndikuar tek spektatori shkodran.

-Bie në sy se gjyqtare kryesore e takimit do jetë një femër. Pikërisht Emanuela Rusta nga Elbasani ishte ajo që vendosi drejtësi në “Loro Boriçi”.

-Ka një debutim nga minuta e parë në Superligë. Mesfushori, Rejan Alivoda e nis për herë të parë titullar me fanellën e Vllaznisë.

-Një përballje “ish-ësh”, tek Vllaznia janë Shehi, Marku në fushë dhe Kaina në stol që kanë luajtur më parë me krutanët. Ndërsa në krahun tjetër janë Karakaçi, Hasani dhe Zogaj që në të shkuarën kanë mbajtur veshur fanellën e Vllaznisë.

-Shënohet edhe goli më i shpejtë i kampionatit, ku Hoxhaj vetëm pas vetëm 30 sekondash lojë dërgon topin në rrjetë pas asistimit të Males.

-Nuk mungojnë në tribunë as figura të sportit shkodran si: Hysen Zmijani, Avenir Dani, Fasli Fakja, Ahmet Meta, Ismet Hoxha apo edhe trajneri i u-21,Vllaznia, Elvis Plori. Gjithashtu edhe humoristët e mirënjohur Besnik Çinari dhe Edmond Halili që gjithmonë e ndjekin ekipin e tyre në stadiume në mbarë vendin.

-“Shpërthen” Josa në një moment, ku nga ekzekutimi i një goditje këndi, Kastrioti rrezikon. Trajneri kryeqytetas i kërkon llogari mbrojtjes dhe portierit.

-Në një moment para fillimit të pjesës së dytë, dritat e stadiumit “Loro Boriçi” ikin. Kjo duke krijuar batutat mes tifozëve në stadium.

-Ovacione për Hoxhajn në momentin kur autori i golit largohet nga fusha për ti lënë vendin Kainas.

-Në një moment gjithë futbollistët dhe stafi i Vllaznisë irritohen me arbitren kryesore, Rusta. Kjo e fundit nuk vërshëllen një faull sipas shkodranëve në favorin e tyre dhe nga protestat Hakaj ndëshkohet me të verdhë.

-Duartrokitje edhe për Alivoden. 19-vjeçari vlerësohet për performancën e tij nga publiku dhe në momentin kur lë fushën për Krujen ka ovacione për të.

-Në fund ka polemika nga ana e Kastriotit, ku trajneri Çela dhe zv.trajneri Kuli kapen me gjyqtarët. E ndërsa lëshojnë ndonjë fjalë më tepër edhe në drejtim të shkodranëve.

-Gjithçka mbyllet në shifrat 1-0 për Vllazninë, ku kuqeblutë rikthehen tek fitorja dhe shkojnë në pushime të kampionatit disi më të qetë.
Endri ÇINARI