Shumë gola në fushë, por atmosferë e dobët në shkallët e stadiumit. Gjithashtu ndeshja fillon me vonesë dhe fusha lë për të dëshiruar sërish. Në duelin Vllaznia-Egnatia dikush feston me shqiponjë pas golit, por gjithashtu kishte edhe disa momente pikante që nuk duhen humbur, teksa “Panorama Sport” i sjell për lexuesit e saj.
* Shumë pak tifozë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, por kjo shterpësi ka qenë edhe në tribunën VIP dhe gjithashtu te tribuna e gazetarëve.
* Ka vonuar për më shumë se pesë minuta starti i takimit. Arsyeja ka qenë mungesa e autoambulancës në stadium. Kjo ka detyruar lojtarët të bëjnë edhe një tjetër nxehje para startit të takimit.
* Pavarësisht se u mboll para një muaji, bari i fushës së stadiumit, “Loro Boriçi”, linte sërish për të dëshiruar, teksa pjesën e dytë u rëndua më shumë në disa vende.
* Presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi e ndoqi nga tribuna e gazetarëve sfidën e para dy ditëve.
* Tekniku i Teutës, shkodrani Edi Martini tregon edhe njëherë se nuk ka humbur reflekset e dikurshme, teksa ndal me gjoks dhe pason me shpejtësi një top për lojtarët e tij.
* Shkodrani Esin Hakaj i shënon ish-skuadrës së tij, por nuk feston. Ndërsa kur ka qenë me Teutën, ai ka arritur t’i shënoj edhe Vllaznisë.
* Sulmuesi Kaina feston me shqiponjë te një prej golave të shënuar ndaj Teutës.
* Josa i ofron shtrëngimin e dorës Blerim Kotobellit kur del nga fusha, pavarësisht asaj ndërhyrjeje të gabuar që bëri ndaj Alivodës dhe atij kartoni të kuq të marrë në minutën e 76-të të takimit.
* Kaina shënon në të 90-ën golin e dytë dhe këtu ka një batutë nga presidenti Alban Xhaferi: Tani që shënoi edhe golin e dytë, duhet t’i japim premio Kainës.
* E habitshme mosakordimi i asnjë minute shtesë, pavarësisht se gjyqtari i katërt në duar kishte tabelën për të akorduar tre të tilla. Jorgji ka vendosur që ta mbyllë që në 90-ën, duke pasur parasysh edhe rezultatin 4-0.
* Skuadra i bën një fitore dhuratë portierit Kristi Qarri, i cili festonte datëlindjen e të tij të 22-të.