* Goli i parë i Skënderbeut vjen përmes një aksion model të futbollistëve bardhekuq. Interesant është fakti që presidenti Takaj qëndroi statik dhe nuk iu gëzua aspak golit të realizuar pavarësisht mënyrës së realizimit.

* Dalja e Bruno Ditës në mesin e fushës ka bërë që trajneri Ilir Daja ta këshillojë herë pas here duke i thënë të shtyjë përpara dhe të vertikalizojë për lojtarët e sulmit.

* I pranishëm në tribunën “VIP” ishte edhe administratori i Vllaznisë, Suad Liçi. Madje ai nuk është parë aspak i qetë teksa shpesh është revoltuar me gabimet e lojtarëve të tij. Në një moment ka goditur edhe me shkelm bordurën mbajtëse prej xhami të tribunës “VIP”, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve.

* Minuta e 51-të e ndeshjes, Krasniqi ka një mundësi të mirë në hyrje të zonës, por heziton të gjuajë. Kjo ka irrituar jashtë mase trajnerin Daja, i cili ka shpërthyer ndaj sulmuesit: “O Krasniq, të gjithë do t’i gënjesh? Ça do me bo?”

* Minuta e 54-t, moviolë, futbollistët e Vllaznisë pretendojnë për prekje me dorë brenda zonës, por Kridens Meta vazhdon lojën. Vendimi i arbitrit ka irrituar jashtë mase drejtuesit e Vllaznisë në tribunën “VIP”, të cilët kanë shpërthyer në ofendime: “Lërini të luajnë e të fitojë kush të dojë, legena”- është dëgjuar të thotë njëri prej tyre.