Laçi-Vllaznia ishte ndër ndeshjet më të kontestuara në kampionatin shqiptar gjatë këtij sezoni. Ndeshja përfundoi 1-0 në favor të vendasve. Përtej golit nuk munguan dhe polemikat gjatë kësaj sfide.
“Panorama Sport” ju sjell momentet më pikante të sfidës Laçi-Vllaznia.
– Takimi Laçi-Vllaznia u zhvillua në një terren të mirë dhe me prani të konsiderueshme tifozësh. Të shumtë ishin edhe ata që kishin udhëtuar nga Shkodra për të mbështetur Vllazninë në Laç. Por, bukurinë ndeshjes ia prishën ofendimet nga tribunat, ku më të shumta ishin për miqtë nga Shkodra. Kryesisht ofendimet vinin kur shkodranët kontestonin vendimet e gjyqtarëve.
– Redon Xhixha u largua në verë me parametër zero nga Laçi, por sulmuesit që po shkëlqen këtë sezon me Tiranën nuk i ndahet shpirti nga skuadra kurbinase. Duke përfituar nga dita e pushimit me bardheblutë, Xhixha ka qenë dje në Laç dhe ka ndjekur ndeshjen nga shkallët e stadiumit.
– Stafi shkodran kishte montuar pranë pankinës një aparat celular, ku sa herë kishte raste të kontestuara, shikonin përsëritjet nga ekrani i telefonit.
Zv.trajneri Plori ishte ai që analizonte pamjet dhe më pas i jepte mendimin e tij trajnerit Brdariç, që pati shumë punë me gjyqtarin e katërt, por edhe me ata të fushës. Për kontestimet e bëra trajneri u ndëshkua edhe me karton të verdhë pas anulimit të golit.