Ndeshja Skënderbeu-Vllaznia, e vlefshme për javën e 22-të në Kategorinë Superiore ka patur edhe ajo momentet pikante te cilat gazeta “Panorama Sport” i ka sjelle per lexuesit e saj.
– Një ndeshje delikate dhe tejet e luftuar është luajtur në Korçë mes Skënderbeut të vendit të fundit dhe Vllaznisë. Takim ky që ka pasur gjithçka brenda. Tensioni është vënë re që në minutat e para të sfidës. Tension ky që ka qenë i fortë jo vetëm në fushën e lojës me përplasje dhe dyluftime të ashpra por edhe në tribuna, madje edhe në tribunën VIP ku pranë njëri-tjetrit qëndronin dy presidentët Takaj dhe Xhaferri, por edhe një numër i konsiderueshëm sportdashësish nga Korça dhe Shkodra.
– Skënderbeu e filloi nxehmjen me 10 minuta vonesë. Fillimisht kanë qenë shkodranët e Vllaznisë që kanë zbritur në fushë, ndërsa bardhekuqtë ende nuk po dukeshin. Ka qenë një vendim i trajnerit Migen Memelli, i cili ka kërkuar t’i mbajë më shumë në dhomë lojtarët për t’u bërë analizën e duhur motivuese. Në dhomat e zhveshjes Memelli ka kërkuar nga të tijtë që të mos kujtojnë të kaluarën, por të shohin vetëm këtë takim dhe të japin gjithçka. Fjalë që me sa duket kanë lënë shenjën e duhur tek ekipi, që dha më shumë se çdo ndeshje në fushë duke luftuar në çdo moment.
– Përplasjet e së kaluarës duket se janë ende të freskëta aq sa Adili dhe Zguro, vazhdimisht shkëmbejnë “xixa” me njëri-tjetrin sa herë që janë pranë. Sidomos në goditjet nga këndi të dy lojtarët nuk humbasin rastin për të ngacmuar nervat, ku nuk munguan as ofendimet.
– Vëmendje nuk tërheq vetëm fusha, por edhe tribuna, atje ku me tablet në dorë ndjek ndeshjen Tomas Brdariç. Trajneri i Vllaznisë, herë pas here jep këshilla për Plorin pasi loja e ekipit në pjesën e parë nuk është ajo që ai kërkon.
– Goli çon peshë pankinën e Skënderbeut me Memellin dhe lojtarët që hidhen përpjetë. Por është rasti i humbur nga Mensah ai që përjetohet më keq. E gjithë pankina është thuajse e futur në fushë, me trajnerin që nuk u beson syve rastin flagrant të shpërdoruar.
– Qetësia dhe gëzimi kalon shpejt nga Skënderbeu te Vllaznia. Goli i barazimit nervozon korçarët. Memelli tërbohet me mbrojtjen ndërsa i piketuar është Dajan Shehi. Zguro nga ana tjetër e ka me gjykimin dhe me kolegun duke i bërtitur sa njërit dhe tjetrit.
– Një minutë pas golit të barazimit të Vllaznisë, goditet me gurë gjyqtari anësor Taulant Kasa. Asistenti ka qenë me fat, pasi guri ka qenë i një madhësie të konsiderueshme, por ka kapur shpinën dhe jo kokën. Pas ndihmës mjekësore për anësorin loja ka nisur normalisht, por është një rast që brenda pak kohësh përsëritet në stadiumin e Korçës. Para dy javësh, në ndeshjen ndaj Partizanit, në të njëjtin vend si dje u godit anësori Orgest Grabova.
– Përpara fillimit të pjesës së dytë ka tension në pistë, ku Zguro ka diçka për të sqaruar me Mehdi Çobën e Vllaznisë. Ndërhyjnë stafet për të qetësuar situatën, madje ka qenë mjeku veteran i Vllaznisë, Zyhdi Çoba, ai që është marrë me qetësimin e kapitenit të Skënderbeut.
– Penalltia dhe kartoni i kuq, në këtë takim kanë qenë shpërthim nervash nga të dyja kampet. Në Korçë, të bindur për penallti, kanë pritur me ankth VAR-in, ndërsa Memelli ka frenuar Zguron që po ndiqte nga pas kryesorin Alla duke i kërkuar llogari. Kur vendimi u mor, i pari që konfirmoi penalltinë nuk ishte Alla, por Sadriu. I ndodhur pranë ai dëgjoi komunikimin e Allës në kufje dhe duartrokiti në shenjë aprovimi. Por, nga ana tjetër shpërthyen protestat. Zogoviç i tërbuar nga vendimi kërkoi disa herë përplasjen me arbitrin dhe kundërshtarët aq sa dy lojtarë të Vllaznisë nuk po e mbanin dot për ta nxjerrë nga fusha. Brdariç në tribunë bërtiste duke kërkuar llogari për këtë gjykim. Lumë ofendimesh u shkëmbyen në fushë mes të dyja kampeve.
– Tensioni nuk ka munguar as në fund të ndeshjes, ku pati edhe një përplasje në distancë mes Adilit të Vllaznisë dhe trajnerit Memelli, ku palët shkëmbyen replikat dhe “lëvdatat” e rastit.