deshja Vllaznia-Bylisi ka precipituar pas rënies së bilbilit, duke pasur tension të madh në tribunën qendrore, e më pas në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”. Protagonist ka qenë presidenti i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj, por jo vetëm. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e sfidës që prodhoi shumë polemika.

* Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ka qenë shumë i acaruar në momentin kur ka rënë bilbili për përfundimin e ndeshjes nga arbitri Ardian Beqiraj, teksa ka hedhur edhe shishe në drejtim të gjyqtarëve. Kaosi ka përshirë edhe tribunën VIP për disa minuta, pasi drejtuesit miq janë kapur me ata të Vllaznisë, që ishin të pranishëm afër tyre në ato momente. Mësohet se mes dy stafeve drejtuese ka pasur edhe shtyrje, madje edhe ofendime të ndërsjella, duke krijuar një situatë të paprecedentë në “Loro Boriçi”. Forcat e sigurisë kanë ndërhyrë duke qetësuar palët, ndërsa Kapllanaj ka qenë shumë i irrituar, duke nxjerrë dufin një moment edhe me delegatin Bujar Pregja.

* Kapllanaj ka reaguar ashpër edhe ndaj Kridens Metës, që dje ishte në sistemin VAR. Në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”, arbitri ka kërkuar që të bindë presidentin Kapllani që 11-metërshi i pretenduar nuk ishte. Mirëpo, reagimi i klubit ballshiot ka qenë i fortë, duke hedhur një lumë akuzash ndaj Metës dhe gjyqtarëve të tjerë.

* Në minutën e 94-t ka shpërthyer gjithë stoli i Bylisit dhe lojtarët në fushë, duke kërkuar penallti. E njëjta gjë ndodhi edhe në minutën e 52- të, kur trajneri Bellai, stafi i tij dhe rezervat, u tërbuan kur arbitri Beqiraj nuk lejoi avantazhin në një aksion premtues për gol.

TË TJERAT

* Ndryshe nga ndeshja e femrave të Vllaznisë kundër Real Madridit, ku kishte mbi 5 mijë të pranishëm në stadium, dje në sfidën e vlefshme për javën e nëntë të Superiores, skuadra e meshkujve nuk mblodhi dot më shumë se 1500 tifozë. Natyrisht që interesimi i paktë i shkodranëve për Vllazninë e djemve vjen edhe për shkak të rezultateve jo të mira.

* Sulmuesi i Vllaznisë, Ante Aralica, kapet me tifozët shkodranë në fundin e pjesës së parë. Kroati nuk i përtyp dot kritikat e tifozëve dhe shkëmben fjalë në distancë me disa prej tyre. Kulmi arriti në minutën e 60-të, kur i gjithë stadiumi shpërtheu pas një gabimi të tij në zonë. Kjo solli më pas zëvendësimin e Aralicës nga trajneri Josa.

* Sulmuesi i Bylisit, Antoni Beji, dhe mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, Gerlab Smajli, për pak u kacafytën në minutën e 5-të, teksa një duel për topin bëri që lojtarët të përdornin duart.