Ndeshja e djeshme ne mes Vllaznise dhe Erzenit e cila u mbyll me fitoren e kuqebluve 3-1 ka patur edhe disa momente pikante te cilat jane sjelle nga media e shkruar per lexuesit e saj.
*Pas rezultateve të dobëta në ndeshjet e fundit, si dhe për shkak të reshjeve të shiut që përshkuan ditën e djeshme, stadiumi “Loro Boriçi” ishte thuajse i boshatisur. Afro 400 të pranishëm të vendosur në tribunën kryesore kanë mbështetur Vllazninë, teksa nuk kanë munguar as tifozët e Erzenit. Ultrasit e Vllaznisë vonojnë për të ndjekur sfidën. Ata vendosen në sektorin e tyre pas minutës së 10-të të ndeshjes. Nuk mungon as ironia shkodrane në lidhje me këtë çështje. “Nuk po i lënë tifozët të hyjnë, sepse në Shkodër mbajnë ende masat e COVID-19”, dëgjohet të shprehen në tribunën kryesore.
*Në minutën e 12-të ka pasur një moment paniku pas përplasjes me kokë të dy lojtarëve miq. Loja u ndërpre për disa çaste, por fatmirësisht gjithçka rezultoi pa pasoja.
*Latifi tenton me një goditje të fortë drejt zonës, por topi përplaset në fytyrën e Ademit, që bie menjëherë në tokë. Pas ndërhyrjes së mjekëve mesfushori rikthehet në lojë.
*Rreth orës 19:22, kur luhej pjesa e dytë, gjyqtari sinjalizon ndalimin e lojës, për shkak se ka ardhur ora e iftarit për lojtarët, që mbanin agjërim. Ata i afrohen tribunës dhe pinë pak ujë dhe ndonjë ushqim të vogël. Më pas vijojnë normalisht lojën.
*I vetmi moment i tensionuar i ndeshjes ishte ai mes Hakajt dhe Ademit. Ndërhyrja e shokëve dhe stafeve qetëson gjithçka, teksa të dy lojtarët ndëshkohen me kartonë të verdhë.
*Trajneri i Vllaznisë, Sedloski, takohet në mënyrë shumë miqësore me lojtare Erzenit, Kahrimanoviç dhe Kriviçiç, të cilët i njeh nga kampionati maqedonas.
*Ish-administratori i Vllaznisë, Kujtim Shaba, i pranishëm për të ndjekur ndeshjen e kuqebluve, shprehet me humor se sa herë bie shi, Vllaznia fiton. Kështu ndodhi edhe dje.