Ndeshja mes Vllaznisë dhe Laçit në stadiumin “Loro Boriçi” ka nisur ashtu si në stadiumet e tjera me një minutë heshtje për Rafael Duamenën. Por shkodranët kanë përfituar në këtë moment përkujtimi dhe nderimi, për të respektuar një figurë të njohur për qytetin verior dhe gjithë Shqipërinë, aktorin e mirënjohur Zef Deda, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme.

Ekipi kuqeblu u paraqit në fushën e lojës me një portret të artistit të njohur të humorit në vendin tonë, duke u rreshtuar për foton para ndeshjes teksa e mbanin atë në shenjë përkujtimi. Por jo vetëm kaq, pasi në momentin kur ekipet u rreshtuan në fushë për minutën e heshtjes në nderim të Duamenës, spikeri i stadiumit ftoi të pranishmit që të mbanin këtë moment përkujtimi edhe për një nga mjeshtërit e skenës në vendin tonë.

* Përplasja kokë më kokë mes dy lojtarëve të Laçit, Dajkos e Xhunior, detyron gjyqtarin që të kërkojë ndihmën e barelës për të larguar Dajkon nga fusha e lojës.

* Shi i rrëmbyer ka shoqëruar të dyja ekipet në startin e pjesës së dytë të takimit. Dy trajnerët sfidojnë shiun duke qëndruar në këmbë.

* Krymi merr shiritin e kapitenit në mungesë të Balajt në këtë takim.

* Mbrojtësi i qendrës Milosh Stojanoviç është dëmtuar në nxehje dhe në momentet e fundit tekniku Osmani ka aktivizuar menjëherë madje pa nxehje të riun Gledjan Pusi.

* Tekniku tiranas i Laçit, Mirel Josa, para startit të takimit, përshëndetet me stafin teknik të Vllaznisë e në fund të ndeshjes edhe me presidentin Alban Xhaferi.