* Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, dhe ndihmësi i tij, Elvis Plori, u ankuan në pjesën e parë te gjyqtari i katërt, i cili nuk lajmëroi kryesorin për një prekje të topit me dorë nga një lojtar kuksian, pasi Meta nuk kishte pamje për ta parë rastin.
Gjermani u tërbua me Metën edhe në minutën e 47-të, kur pretendoi penallti për ekipin e tij. Ndërsa në fund ka protesta nga të gjithë shkodranët për tri minutat shtesë të akorduara, me Brdariçin që priste sa do të shtonte gjyqtari i katërt dhe kur sheh vetëm tri minutat, tërbohet.
Ai i kërkoi llogari arbitrit të katërt, Florian Lata. Në këtë moment u ndëshkua me karton të verdhë. Në fund ai protestoi në mes të fushës ndaj arbitrit Meta, por gazeta zbulon se pasi e gjykoi mirë gjestin që bëri, Brdariç zbriti nga autobusi dhe shkoi të takonte arbitrat sërish. Mësohet se gjermani u kërkoi falje, duke u justifikuar me mërzinë prej rezultatit dhe nervave për lojën e skuadrës në humbjen 3-1 ndaj Kukësit.
* Në stadium të jepej përshtypja se luhej Partizani-Vllaznia, kjo për shkak të një gabimi në tabelën elektronike. Një lapsus që më pas u rregullua.
* Gjatë nxehmjes portierin Xhika e stërviti pikërisht rivali të cilit i zuri vendin, Tafa. Ky i fundit bënte goditje drejt portës për të vënë në provë Xhikën.
* Bruno Lulaj ishte mungesa surprizë në këtë ndeshje për Kukësin. Mbrojtësi pësoi një dëmtim dhe e ndoqi takimin nga tribuna, duke u dhënë zemër shokëve të ekipit. Ai u pa në shoqërinë e ish-mbrojtësit të Kukësit, Olsi Teqja, i cili prej një viti luan në Francë.
* Pas pësimit të golit të parë të Vllaznisë, Plori u jep zemër të tijve, duke mos i lënë të dekurajohen: “Hajde çuna vazhdoni, hajde”.
* Thuajse i gjithë ekipi i Kukësit proteston te kryesori Meta, pasi ky i fundit nuk dha një faull në sulm dhe rrezikoi që kuksianët të pësonin gol, por për fatin e tyre, topi u ndal në shtyllë.
* Tifozët nuk i lënë batutat me njëri-tjetrin në tribuna, duke u kapur edhe me arbitrin Meta. “Kolina është ky mo”, ia behu njëri.
* Për shkak të dëmtimit të Da Silvës që në minutën e 14-t, Imeri që duhej ta zëvendësonte, u fut në fushë pa bërë nxehmjen. Kujtojmë se braziliani i Vllaznisë ka pasur probleme në gju gjatë javës.
* Meqenëse ndeshja luhej në Elbasan, nuk munguan as tifozët personalë të Dajan Shehit, mbrojtësit elbasanas që luan për Vllazninë.
* Besir Demiri bën edhe “trajnerin” në fushë te Kukësi, duke këshilluar vazhdimisht shokët e ekipit. Më së shumti i dha udhëzime Tsintsadzes, për t’u treguar më i kujdesshëm në fazën mbrojtëse.
* Marku pretendon për faull në dëm të tij, por Meta vazhdon lojën. Në këto momente një tifoz i thotë: “Bjer pak më bukur mor burr…”.
* Isaevski ndihej i bezdisur nga fanella dhe në pjesën e dytë, para startit, një pjesëtar i stafit i jep një tjetër bluzë dhe e ndërron.
* Nuk munguan as momentet e tensionit në tribunë midis tifozërive, ku ata të Kukësit kërkonin nga shkodranët që të mos ishin të zhurmshëm. Në këto momente u kthehet një pjesë e tyre duke u kërkuar llogari, por ndërhyrja e shpejtë bëri që situata të qetësohej.
Edhe në fund një prej përfaqësuesve të klubit kuksian u kap me tifozët shkodranë, por ndërhyrja e stafit, veçanërisht e Hallaçit, shoi sherrin. Nga ana tjetër, tifozët e Vllaznisë u kapën edhe me fëmijët e vegjël, që prisnin topat pas porte, teksa në disa momente i vononin.