Trajneri Armando Cungu është padyshim një ndër njerëzit më të drejtpërdrejtë në futbollin shqiptar.
Ish-tekniku i Vllaznisë, Laçit dhe Kukësit ka arritur suksese me secilin klub që ka drejtuar.
Nëse flasim për suksese, për ekipin kuqeblu i tillë është kthyer qëndrimi në Superiore.
Cungu që nga momenti që është larguar nga Vllaznia nuk ka marrë asnjë ekip tjetër, por duket se sezoni i ardhshëm do e gjej në krye të ndonjë skuadre. Këtë e pranon dhe vetë shkodrani në një intervistë për “Eduasportin.com”.
– Shumë kohë pa ekip, a jeni gati për t’u rikthyer në krye të ndonjë skuadre?
– Patjetër që jam gati për t’u rikthyer në drejtimin e ndonjë ekipi.
– A keni ndonjë kontakt me ndonjë ekip?
– Ka kontakte, por duhet të presim se si do të zhvillohen ngjarjet në vazhdim. Do të shoh me kujdes çdo ofertë që do të kem, pasi duhet të zgjedh me qetësi.
– Emri juaj përflitet te Flamurtari, mendoni se do të ishte projekti i duhur për ju?
Dua të theksoj se dëshira ime është për të pnuar me njerëz dhe projekte serioze. Dua të punoj me njerëz që e dashurojnë futbollin dhe klubin e tyre, me drejtuar që i qëndrojnë afër klubit dhe e mbështesin atë.
– Do na tregosh ndonjë emër klubi?
– Jo, është ende herët për të folur.
– A është një mundësi për ju Kosova?
– Nuk e di, për momentin nuk mund të flas. Duhet të pres dhe t’i vlerësoj që të bëj zgjidhjen e duhur për mua. Në Kosovë kanë shkuar shumë trajnerë me emër nga Shqipëria.
– Shohim një trend të ekipeve shqiptare për të marrë trajnerë të huaj. Çfarë mendoni për to?
– Të paktë janë emrat e trajnerëve apo lojtarëve të huaj që kanë lënë gjurmë në futbollin tonë.
Nuk kam asnjë paragjykim për emërtime të tilla të huaj apo vendas, thjesht duhet të jenë profesionistë dhe të aftë për të bërë punën e tyre.
– Besoni se Vllaznia do të qëndrojë sërish në Superiore?
– Vllaznia nuk duhej ta diskutonte qëndrimin, por duhej të bënte diçka më tepër, siç bëri sezonin e shkuar kur ka qenë në vendin e 5-të dhe të 4-ët shpesh herë.
Nuk mendoj se Vllaznia rrezikon, aq më tepër që prej fillimit të vitit janë afruar dhe biznesmenë që po i rrinë afër dhe sponsorizojnë fuqishëm çdo takim të Vllaznisë.
– Do të jetë ky viti i privatizimit, apo fjalë boshe si zakonisht?
– E kam kërkuar prej vitesh këtë privatizim dhe shpresoj që të vijë shumë shpejt. Uroj të vijë sa më shpejt, por janë shumë vonë dhe kam frikën që do të vazhdojë kjo vonesë.
– Në Shkodër shihet një lokalizëm i tepruar, Vllaznia vetëm me shkodranë. A jeni dakord me këtë ide?
– Nuk jam aspak dakord me ide të tilla. Sot duhet të shpërblehet ai që bën punën me seriozitet dhe profesionalizëm dhe jo me fjalë boshe e dëshira. Sot është tregu i hapur në të gjithë botën dhe nuk ekzistojnë ide të tilla.
– Shkodra e talenteve, Shkodra e talenteve, por shohim që lojtarët shkodranë, të rinjtë që ishin plot shpresa kanë mbetur në të njëjtin nivel, nuk po shpërthejnë…
– Shkodra shquhet për talente ose më saktë më pëlqen të them futbollistë me të ardhme. Në fund, është në dorë të tyre nëse duan të punojnë, të ulin kokën dhe të dëgjojnë, pasi kanë shumë për të mësuar.
– Deklarata e Mziut bënë xhiron e rrjetit. Ai tha se Vllaznia fiton me Laçin, mendoni se ka aleanca në favor të shkodranëve?
– Unë në fakt kam vuajtur shumë fenomenin e aleancave në kurriz të Vllaznisë. Nëse është e vërtetë më bëhet qejfi që i erdhi dita Vllaznisë për të pasur aleatë. /EDS