Pina Thani ka lindur në Shkodër në vitin 1938 në një familje me plot tradita patriotike e histori që kanë në themel atdhetarizmin dhe vendosmërinë për t’i shërbyer atdheut dhe shoqërisë. Pina ishte e bija e Dedë Thanit, këtij nacionalisti të vendosur, këtij njeriu që ishte i burgosuri i parë politik në burgun e sapo hapur të Shkodrës, njëkohësisht Pina ishte mbesa e major Pal Thanit (dekoruar me medalje ari në Universitetin e Modenas) dhe e kolonel Mark Thanit, që të dy të pushkatuar nga regjimi komunist. E ëma, Saveta, e vetëdijshme për horizontet jetësore ndonëse në një ambjent konservator e fanatik u dha liri dhe u krijoi kushte bijve e bijave të saj për të shfaqur prirjet e tyre dhe për të bërë karrierë dhe emër në të ardhmen. Veshja sportive e Pinës dhe sjellja e saj prej një djaloshi, dukej sikur çdo ditë griste kodin konservator të asaj kohe, dhe sulej me guxim drejt ëndrrës së vet. Që në shkolln tetëvjeçare filluan privacionet ndaj Pinës për efektet e njohura të biografisë politike. Pasioni i saj ka qenë gjithmonë sporti, kjo fushë në të cilën Pina arrin atë që do ta kishte lakmi çdo njeri.
Ish futbollisti i njohur dukagjinas i viteve 60, Nikollë Gjergji, thotë: “Pinen e kam pasur në lagje. Është një rast unikal figura e kësaj femre malësore. Ajo ishte një burrë i vërtetë, e shkathët, e fuqishme, elegante, e paepur, hypte në motorr, vraponte, luante volejboll, basketboll bile edhe futboll me ne, djemt e lagjes. Është e papërsëritshme. Unë do ta kujtoj gjithmonë atë shprehjen e saj që thoshte: ju jeni vëllezërit e mi dhe unë motra juaj”.[1]
Që në klasën e shtatë spikati talenti i saj pasi në një kros masiv renditet ndër të parat pjesëmarrëse, më pas merr pjesë në garat me motorrçikletë.
Talenti i saj i vërtetë do të shpërthejë më vonë në fushën e atletikës, ku mund të përmendim hedhje granate, gjylje, shtizë, disku në not, pesëgarësh dhe pastaj si volejbolliste e basketbolliste. Rekordin e parë kombëtar e ka thyer në vitin 1951 në kërcim së larti me 1.31 metër, rekord që mbahej më parë nga Marie Rranxi, pastaj në vitin 1952 me 1.34, në 1954 me 1.36 metër për të arritur në vitin 1957 me 1.40 metër. Që nga viti 1953 Pina merr pjesë dhe vendos rekorde edhe në hedhje gjylje, disku, granate e shtize, dhe në vitin 1956 kur ishte “Mjeshtre Sporti” then tre rekorde, në gjyle, disk e granatë. “E ku nuk e gjen Pinen? – do të shkruante gazeta “Sporti Popullor” e vitit 1960 në gjyle, në disk, në shtizë, në vrapimin me pengesa, në kërcimin së larti, në pentatlon, bile edhe në basketboll; kurse për volejbollin nuk kemi çfarë të themi, për arsye se në kampionatin e këtij viti ishte më e mira midis të mirave”.[2] Bilancet e rezultateve të arritura për një periudhë 15 vjeçare 1951-1966 e vendosin Pinën në podiumin qendror të atletikës Shqiptare, tashmë jehona e saj kishte pushtuar gjithë vendin, rekordet e saj janë të mahnitshme: 4 herë me granatë, 3 herë kërcim së larti, 6 herë në 5 garësh, 2 herë në 80 metërsh, 7 herë në disk, 10 herë në gjyle. Çdo atlet, madje edhe i përmasave ndërkombëtare do ta kishte zili një bagazh kaq të pasur sa Pina Thani plot 32 rekorde të thyera. Në 3 garësh e 5 garësh, Pina ka këto rezultate: me 1952-852R, me 1957 – 3130R, me 1958 – 1811R, me 1958 – 319 0R, me 1959 – 3204R.
Sa se ç’shkruan gazeta “Sporti Popullor”: “Tani jemi mësuar që në çdo aktivitet kombëtar, Pina të na japë një rekord të ri kombëtar. Edhe këtë herë ajo përmirësoi një tjetër rezultat në tabelën e rekordeve kombëtare. Për të parën herë gjylja u flak në vendin tonë më larg se 13 metër, pra në 13.12 metër (rekordi i mëparshëm prej 12.73 meter, mbahej po prej saj që nga viti 1958). Pina i ka të gjitha mundësitë të arrijë 14 metër”.[3]

Rezultatet e saj krahasoheshin me ato të niveleve të larta Europiane, bile në shumë raste edhe më të larta. Disa herë ka qenë fituese e anketës së “dhjetë sportistëve më të mirë të vitit”. Pina krahas aktiviteteve të pandërprera në vend, mori pjesë edhe në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare ku mund të përmendim në 1957 për hedhje gjylje e disku në Bukuresht; në 1958 në garat ndërkombëtare të Sofjes; në 1959 në takimin ndërkombëtar me atletet armene të ish BS. Në spartakiadën e Budapestit pati rezultate mjaft të larta e pregatitje fizike të shkëlqyer dhe pikërisht për këtë ish trajneri Rus do të deklaronte: po ta kisha në ekipin tim vetëm për dy vite do ta bëja kampione bote. Vlerësimi për Pinën vjen edhe nga komentatori i njohur Ismet Bellova që thoshte: “Pina ishte një sportiste e madhed e viteve 1951 – 1966, e paarritshme që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit Shqiptar”.[4] Është vërtetë në kufinjtë e legjendës parakalimi me rastin e 1 Majit, kur qindra sportistë mbanin në gjoks medalje për punn e kontributin e tyre në sport, por Pina e veshur me një xhakovento të madhe i kishte medaljet e varura jo vetëm në gjoks, por edhe në supe, edhe në krahë e madje edhe në shpinë. Me shkathtësinë, pregatitjen fizike, aftësitë universale në fusha të ndryshme sportive Pina u bë e adhuruara e gjithë sportdashësve. Një karikaturë e asaj kohe e nxjerrë Pinën si “Herkule” gjatë një shutimi përballë një grupi lojtaresh kineze. Ish traineri i ekipit kombëtar të volejbollit pati deklaruar so të kishte vetëm dy volejbolliste si Pinën, shumë shpejt do të fitonte kampionatin botëror.

Në një takim me vëllain e saj, Antonin, ai thoshte: moter e kam pasur dhe e ndjej veten time krenar për të. Ishte mjaft e emancipuar, larg metaliteteve të vjetra, entuziaste, kërkuese ndaj vetes, e papajtueshme me plogështinë, qëndronte larg eurofisë për arritjet e saj, kërkonte e kërkonte e gjithnjë kërkonte majat më të larta të arritjeve.

Janë të shumtë titujt që ka marrë Pina Thani gjatë jetës së saj, siç janë “Mjeshtre e merituar e sportit”, në vitin 1999 ka marrë titullin “Sportistja më e mirë e shekullit” dhe po këtë vit merr titullin “Nderi i sportit shqiptar”. Pina Thani do të mbetet për shumë e shumë kohë e papërsëritshme në historinë e sportit shqiptar, kjo legjendë e shekullit të njëzetë ka thyer 32 rekorde kombëtare, ka marrë 100 medalje ari dhe mbi 300 diploma. Prindërit e saj kishin zbritur në Shkodër nga fshati Than i Planit, Dukagjin dhe kontributi i kësaj Dinastie ka qenë i jashtëzakonshëm në të gjitha fushat esaj kohe, ndaj respekt e mirënjohje të përhershme për ta.

Prelë MILANI