Federata Shqiptare e Pingpongut ka vendosur që të organizojë në Shkodër një takim mbarëkombëtar pikërisht në kuadrin e aktiviteteve organizuar në nderim të 100 Vjetorit të Pavarësisë. Kjo bëhet e ditur nga sekretari i kësaj Federate, shkodrani Tonin Binoshi. Në të do të marrin pjesë sportistët më të mirë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Ai do të zhvillohet në datat 26-27 nëntor në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Sipas sekretarit Binoshi, ky aktivitet realizohet me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në këtë mënyrë, takimi mbarëkombëtar i pingupongut do të mbushë në njëfarë mënyre boshllëkun e aktiviteteve sportive të festimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë në Shkodër sepse askush nuk është kujtuar për të zhvilluar asnjë të tillë. Një heshtje e pakuptueshme kur ky qytet është mbajtur si djepi i shumë sporteve. Një harresë e tillë sigurisht që nuk është aspak e mirë e për më tepër, e çuditshme është edhe heshtja e dy klubeve, atij të futbollit dhe atij shumësportësh Vllaznia.
www.shkodrasport.com