Shkodra dhe Vllaznia janë të njohura për nxjerrjen e shumë talenteve në futbollin shqiptar. Prurjet cilësore që madje edhe kanë shkuar në kombëtaren e Shqipërisë nuk kanë munguar kurrë.
Pavarësisht se kuqeblutë po kalojnë një nga momentet më të vështira të historisë së tyre duke luajtur në Kategorinë e Parë këtë sezon, talentet “lulëzojnë” në Shkodër. Një që po spikat prej dy-tre vitesh tek ekipet e moshave të shkodranëve është edhe mesfushori Uheid Hoxha.
Me një fizik për tu admiruar dhe një përdorim topi për tu pasur zili, Hoxha duket se do vazhdojë traditën mesfushorëve që kanë lënë shenjë në futbollin shkodran. Në prag të ndeshjes së kthimit me Astana për Uefa Youth League, 18-vjeçari flet për Newsport.al duke shprehur ambicien dhe bindjen për një kualifikim.
“Do jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne, por jo e pamundur për të kthyer atë humbje 3-1 që pësuam në Kazakistan. Atje luajtëm mirë dhe ndoshta eksperienca që na mungon në të tilla kompeticione na ndëshkoi. Jam shumë i bindur që sa bashku me shokët e skuadrës mund t’ia dalim të kualifikohemi.
Po ashtu edhe mbështetja e tifozerisë do na ndihmojë dhe gjej rastin që ti bëj një thirrje që të jenë sa më të shumtë në “Loro Boriçi” në datën 24.”
Hoxha ndalet edhe te kampionati U-19 dhe e ardhmja e tij.
“Kampionati është shumë i fortë dhe me rivalitet. Ne jemi kampionët në fuqi dhe duhet të sillemi si të tillë. Fillimi i sezonit të ri ka qenë shumë i mirë dhe mendoj se do e mbyllim me sukses. E ardhmja ? Si fillim dua të vesh bluzën e Vllaznisë pasi është krenari e më pas për të shikuar për ndonjë lëvizje jashtë Shqipërie”, shprehet ai.
Një lider jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Në Shkodër e krahasojnë me të madhin Andrea Pirlo për vetë stilin e lojës.
Ndoshta një krahasim i guximshëm. Hoxha së bashku me shokët e tij duhet të tregojnë vlerat e tyre në ndeshjen e kthimit të Uefa Youth League na datën 24 tetor. Në mënyrë që një ditë të veshin edhe fanellën e Vllaznisë që e kanë ëndërruar sapo kanë prekur topin për herë të parë./newsport/