Forma e treguar në disa ndeshje radhazi ka bërë që Xhakomo Vrioni të gjejë konfirmimin te skuadra bardhezi.
Teksa në ndeshjen e fundit në fazën “play off” me Juventus U-23 ka qenë mbrëmja në të cilën Vrioni realizoi një eurogol nga distanca, mediat italiane bëjnë me dije se pikërisht skuadra e re e Pirlos do të nisë me disa konfirmime bazë në skuadrën aktuale.
“Tuttsport”, referuar Serisë C të futbollit italian, bën me dije se “Maestroja” ka kërkuar që Vrioni të jetë një prej lojtarëve që konfirmohen në ekip për të qenë pjesë e rëndësishme e projektit për sezonin e ardhshëm.
Të tjerë si shqiptari të kërkuar me ngulm që të mbahen në ekip si pasojë e dëshirave të Pirlos do të jenë Markez dhe Frabota.
Për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, krahas mundësisë që të stërvitet herë pas here me skuadrën e parë të Juventusit, do të jetë fat që të ketë në krye të ekipit një ish-mesfushor të mrekullueshëm si Andrea Pirlo.
Me siguri që ka shumë për të mësuar nga klasi i “Maestros”.