Pista atletike në stadiumin “Loro Boriçi” nuk u ngjit në asnjë moment në nivelin e fushës, duke qenë se tartani pati shumë probleme dhe u kthye në të papërshtatshme për atletët. Jo më kot, ndryshe nga Elbasan Arena, pista e Loro Boriçit nuk mori as certifikim nga ndërkombëtarët për veprimtari të ndryshme.
Gjithsesi, së fundmi problemi i pistës duket se ka marrë një drejtim pozitiv pasi kompania ndërtuese u hodh në gjyq nga Federata Shqiptare e Futbollit për punimin e dobët. Gjyqi i ka dhënë të drejtën Federatës dhe tashmë kompania prej dy ditësh ka nisur nga puna për ta bërë nga e para pistën duke mbuluar të gjithë koston.
Fillimisht është hequr pista e vjetër, ndërsa më pas vjen pjesa e nivelimit dhe sapo edhe koha të ndihmojë duke mos rënë shi, do të fillojë shtrimi i tartanit të ri.
Një lajm i mirë për sportin dhe atletikën në veçanti, ndërsa për pistën e re, FSHA do të kërkojë edhe leje nga organizmat europianë për zhvillimin e garave ndërkombëtare. /VipSport/