Duhej të bëhej një nga futbollistët më të njohur të futbollit botëror, por që kur veshi fanellën me numrin 9 të Milanit, karriera e Krzistof Piotek ndryshoi plotësisht. Sulmuesi polak, pasi shkëlqeu me Xhenoan dhe për pak muaj te Milani, u kthye më pas në një dështim absolut te kuqezinjtë duke harruar si çohej topi në rrjetë.

Transferimi te Herta Berlin solli një ringjallje të vogël të lojtarit, por edhe në Bundesligë gjërat nuk shkuan ashtu siç priste ai dhe përfundoi shpejt në stol. Ndaj Piotek është bërë gati të kthehet aty ku u kthye në një nga emrat më të njohur të futbollit botëror.

Më datë 1 janar, futbollisti do të kryejë vizitat mjekësore te klubi i Xhenoas, atje ku ai mori famë, për të nënshkruar më pas kontratën që shënon rikthimin e tij në futbollin italian. Te Xhenoa, Piotek do të vihet nën urdhërat e Davide Balardinit, pikërisht atij trajneri që në vitin 2018 e ndihmoi që të kthehej në “Pistolero”, duke i dhënë mundësinë të tregonte vlerat e tij në elitën e futbollit italian. /vipsport/