Në takimin e sotëm ndaj Lushnjës, në formacionin e Vllaznisë kanë munguar dy prej lojtarëve titullarë të saj. Bëhet fjalë për mbrojtësin Denis Pjeshka dhe mesfushorin Ardit Krymi.
I pari u dëmtua në minutat e fundit të ndeshjes së kaluar në Durrës ndërsa i dyti ka ardhur i dëmtuar që nga grumbullimin me kombëtaren U-21. Ata sot kanë qenë pranë skuadrës për t’i dhënë zemër shokëve të ekipit dhe e kanë bërë në mënyrën e duhur këtë gjë.
Nuk mund të themi nëse mungesa e tyre u ndie apo jo tek loja e skuadrës megjithatë rëndësi ka që të rikuperohen sa më parë dhe të jenë në dispozicion të stafit teknik. Megjithatë, nga sa është parë sot, ato kanë pak shanse të jenë të gatshëm edhe për ndeshjen me Luftëtarin që do të zhvillohet ditën e dielë.
Por probleme me dëmtimet nuk kanë patur vetëm këta dy futbollistë. Edhe mesfushori tjetër Hasani ka hyrë në fushë me dhimbje dhe fakti që pjesa e parë shkoi mirë, bëri që trajneri Gjoka të mos rrezikojë më me të dhe ta zëvendësojë.
E njëjta situatë ka qenë edhe me Gocajn. Madje, menjëherë pas shënimit të golit nga pika e 11-metërshit, ka bërë me dorë nga pankina për t’u zëvendësuar megjithatë duket se i ka duruar dhimbjet dhe ka luajtur deri në fund.
Gjithsesi situata e tyre do shihet me kujdes deri ditën e dielë në mënyrë që të jenë plotësisht të gatshëm për trajnerin Gjoka për sfidën me Luftëtarin që konsiderohet shumë më e vështirë se kjo e sotmja me Lushnjën.
© shkodrasport.com