Gjergj KOLA
Pjetri: Unë s’jam Xhati që gjuan me këpucë
Nga kampi kavajas dje ka patur reagime në media në lidhje me ndeshjen që ata kanë luajtur fundjavën e kaluar në Velipojë me Adën vendase, takim që u mbyll në barazim 2-2. Sipas asaj çfarë është shkruar në media, presidenti Bizhdili dhe sekretari i klubit Berati kanë mbetur të zhgënjyer nga “livadhi” ku është zhvilluar ndeshja, nga dhuna e drejtuesve të Adës ndaj gjyqtarit etj. Por në fakt, për velipojakët e gjitha kjo është sajesë e kavajasve për të justifikuar barazimin në këtë ndeshje, e për më tepër nisjen e keqe që i kanë bërë kampionatit. Për presidentin e Adës Alfred Pjetri, çdo pretendim i drejtuesve të Besës është i pabazë prandaj dhe ai shton: “Kavajasit ndoshta kanë mbetur të zhgënjyer nga fusha por të mos harrojnë se edhe ne duam të kemi një fushë më të mirë. Por nga ana tjetër, të mos harrojnë se në këtë fushë kanë luajtur më parë edhe Vllaznia, Dinamo, Flamurtari, Partizani etj dhe nuk janë ankuar. Ose mund të jenë ankuar siç ka bërë Faruk Sejdini vite më parë kur ka se në Velipojë nuk fiton as Brazili dhe në fakt ne shkuam në Tiranë dhe e eliminuam për kupë duke treguar kush është Ada. Në fushën tonë problemi më i madh është mungesa e një tribune qendrore dhe këtë e kemi të qartë por kjo nuk do të thotë se miqtë nuk i kemi respektuar. Bizhdili dhe gjithë drejtuesat e ekipeve kundërshtare, e kanë vendin në hollin e dhomave të zhveshjes, aty ku qëndron edhe Kryetari i Komuës Velipojë dhe shumë personalitete të tjera që vijnë për të parë ndeshjen. Kështu që Bizhdili më parë se të ankohet për fushën, duhet të thotë si e kemi pritur. Ai nuk pranoi ai të pijë kafe me mua meqë kisha një gëzim ngaqë lashë karrierën sportive. e takova edhe pas ndeshjes dhe nuk më shprehu asnjë keqardhje dhe asgjë tjetër dhe nuk është e mira që pasi shkon në Kavajë, del e flet për gjëra të tillë”. Por një temë që është diskutuar jo pak ka qenë edhe ajo e gjykimit të ndeshjes. Velipojakët e akuzojnë Taullaun për njëanshmëri të dukshme në favor të Besës ndërsa kjo e fundit akuzon Adën për presion ndaj tij. Sipas presidentit Pjetri, gjërat e vërteta nuk është e vështirë të merren vesh në këtë vend. “Sa kemi parë Taullaun në Velipojë, e kemi patur të qartë se ai do ndihmojë Besën ngaqë është mik i Bizhdilit dhe ia kemi bërë të ditur vetë atij por Taullau sapo filloi ndeshja sërish veproi kundër nesh. Për fat të mirë, tifozët tanë janë sjellë jashtëzakonisht mirë dhe nuk ka patur as më të voglin incident. Se çfarë presioni i bën Ada arbitrave, kjo nuk është e lehtë të merret vesh sepse nuk kemi patur asnjë dënim fushe. E kundërta me Besën sepse të gjithë e kujtojnë ende Bizhdilin që gjuan me këpucë gjyqtarin, të gjithë kemi parë Bubeqin duke e goditur me grushte arbitrin, të gjithë kemi parë Dhëmbin duke i vënë fanellën në kokë Pashajt. Këta janë presidenti dhe futbollistët e Besës ndërsa pë rata të Adës nuk ka kush gojë të flasë për veprime të tilla”-ka thënë në fund presidenti i saj Alfred Pjetri.