Pas kënaqësisë sepse kaloi provimet në Coverciano, vjen tërbimi për aventurën që i ndodhi në shtëpi. Mauro German Camoranesi nuk mund të jetë plotësisht i kënaqur me faktin që tanimë është një trajner i licencuar nga UEFA. Festa për këtë arritje të ish-kampionit të botës është prishur pjesërisht. Sipas asaj që shkruan “Tuttosport”, argjentinasi me pasaportë italiane ka pasur një surprizë të hidhur kur është kthyer në banesë.
Hajdutët kanë hyrë në shtëpinë e Camoranesi, në periferi të qytetit të Torinos, në provincën e Moncalieri, duke i vjedhur ora dhe varse të ndryshme, me një vlerë totale që shkon deri në 100 mijë euro. Keqbërësit janë futur nga dritarja e dhomës së gjumit të ish-futbollistit të Juves dhe policia ka nisur hetimin, bazuar edhe te disa pamje filmike nga zona ku ndodhi ngjarja. Camoranesi ka bërë denoncimin dhe flitet se përkohësisht ka pajtuar një roje sigurie.