Kamza në javën e 34 të Superiores ka luajtur me Flamurtarin, ku ka marrë një rezultat pozitiv me një fitore minimale 1-0.

Goli është shënuar nga kapiteni Sebino Plaku në minutën e 63-të të takimit. Festës së golit lojtari iu gëzua shumë, duke e vendosur fanellën në fytyrë, por për këtë arsye arbitri i takimit Juxhin Xhaja e ka ndëshkuar me karton të verdhë 32 vjeçarin.

Me këtë ndëshkim Plaku do të mungojë ndeshjen e ardhshme ndaj Laçit në shtëpi.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, Kamza reagon se kartoni mund të evitohej, sepse lojtari nuk e hoqi fanellën.

Gjithsesi në të njëjtën kohë ironizon me arbitrat dhe urojnë të jenë kaq “të egër” sa ndaj tyre.

“Vendosi fanellën në fytyrë për 2 sekonda! Arbitri e ndëshkoi me kartonin e verdhë për të munguar ndaj Laçit.

Është normalë që ndaj tij të thuren skenare, sepse është “tmerri” i Superiores. Por kemi parë arbitrat që kur duan janë tolerant.

Ndaj nje lojtari simbol i miresjelljes si Plaku, kryesori Xhaja mund të mos ishte kaq strikt. Dhe kur mendon gjendjen emocionale të lojtarit në ato momente kur shënon një gol me peshën e shpëtimit për ekipin e tij, kupton se edhe mund ta falesh.

Shpresojmë që arbitrat të jenë gjithmonë kaq të egër sa ndaj nesh. Gjithsesi, askush nuk e ndalon dëshirën tonë për mbijetesë!

Para KAMZA”