Tirana ka në listën e dëshirave Lorenco Vilën.

Lojtari që luan në krah të sulmit apo në mesfushë është një nga futbollistët që e ka shumë dëshirë stafi i Tiranës.

Si Shehi dhe drejtues të tjerë të skuadrës e shohin si një lojtar me të ardhme. Nga ana tjetër, ai mund të zëvendësojë njërin prej Xhixhës apo Seferit që mund të largohen në verë.

Vila është një lojtar shumë i talentuar që dy sezonet e shkuara ka shkëlqyer, ndërsa këtë sezon po vuan siç po bën Teuta.

TAKIMI – Sezonin e shkuar lojtari ka qenë pranë Tiranës. Një nga drejtuesit e skuadrës e ka takuar në momentin kur lojtari ishte larg Teutës, por nga ana tjetër edhe pse u rrit një marrëveshje, në fund gjërat nuk shkuan në fund, sepse Teuta nuk e largoi futbollistin.

PROBLEMI – Problemi i vetëm i kalimit të Lorenco Vilës nga Teuta te Tirana është skuadra durrsake. Bardheblutë duhet të paguajnë që të marrin lojtarin ose duhet të bien në marrëveshje me ekipin durrsak.

Trajneri Shehi e sheh një futbollist me shumë të ardhme, sepse është i kompletuar dhe mund të luajë në të gjitha pozicionet e repartit të avancuar.

Për më tepër që lojtari nuk paguan as taksë formimi nëse largohet falas nga Teuta.

E PËRBASHKËTA – Vila ka një të përbashkët me Tiranën ose, më saktë, disa lojtarë të Tiranës. Ai menaxhohet nga një kompani menaxhimi si Hoxhallari dhe Ismajlgeci dhe ky mund të jetë një plus për ekipin bardheblu.

Gjithsesi, Lorenco Vila është vetëm një dëshirë, ndërsa sezoni ende nuk është mbyllur dhe për kampionatin e ardhshëm ka ende kohë. Të mos harrojmë se sezonin e shkuar bardheblutë i dhanë borxh Seferin Teutës që të luante në Europë.

LARGIMET – Tirana do të largojë yjet e saj për t’i shitur në skuadra më të mira, por vetëm pas Europës.

Në njëfarë mënyre, bardheblutë duan që të luajnë me skuadrën e plotë në Europë dhe në këto kushte nuk do të lejojnë asnjë prej yjeve të ikin.

Pra, Seferi e lojtarët e tjerë, edhe pse mund të kenë oferta, do të ikin nga Tirana vetëm pasi të luhen ndeshjet europiane. Tirana shpreson që të kualifikohet në fazën e grupeve të Konferencë Ligës dhe më pas të bëjë ndryshimet në skuadër.

Kjo nuk do të thotë që për shifra të mira presidenti Halili të mos largojë ndonjë nga lojtarët para Europës.

Nëse vjen shifra e duhur, atëherë secili mund të largohet. Nga ana tjetër, edhe rinovimet do të lihen për në fund./PANORAMA-SPORT/