Drejtori sportiv i Kastriotit, Gazmend Vogli, ka treguar disa nga planet që ka klubi krutan për të ardhmen, duke llogaritur se kjo skuadër ka siguruar kthimin në Kategorinë Superiore.

I ftuar në emisionin “E hëna sportive”, ai ka treguar se gjithçka do të fillojë nga infrastruktura.

“Po bëjmë gati stadiumin. Së shpejti fillon puna për të vendosur tapetin e ri. Do të vendosim edhe stola për tribunat.

Synimi është të bëjmë një stadium që do të jetë i parametrave të kërkuar, një stadium si i Laçit ku mund të luhet edhe një tur në kupat e Europës”, theksoi ai.

Sigurisht që rol qendror do të ketë përbërja e skuadrës, ku duke filluar nga trajneri Samuel Nikaj e për të vazhduar me lojtarët, do të bisedohet për rinovimet apo jo të kontratave.

“Do të flasim në ditët e ardhshme me Nikajn, për të vendosur nëse do të vazhdohet apo jo. Do të bisedojmë edhe me lojtarë, pasi një pjesë do të qëndrojnë e një pjesë jo.

Kemi pikëtuar disa lojtarë që do të qëndrojnë dhe kërkojmë disa të tjerë për t’u përforcuar pasi Superiorja është kampionat i fortë. Na duhet një sulmues goli, si Sebino Plaku, do e kërkojmë një të tillë.

E dimë që do të jetë më e vështirë për ne, pasi vijmë nga Kategoria e Parë dhe duhet një nivel tjetër, është nëj kampionat ku luhet më shumë futboll dhe do cilësi.

Formula me 10 ekipe është e tillë, ka vështirësi dhe ekipet që vijnë nga poshtë sulmohen. Por mendoj se me punë dhe vullnet gjithçka arrihet. Duam të bëjmë një ekip serioz për Superioren”, u shpreh ai. /vipsport/