Pasi rezultoi të fuste Tiranën në “kurth” me skemën me tre mbrojtës, pritet që Kolela të vazhdojë ta rreshtojë skuadrën në të njëjtën mënyrë.

Treshja Atanaskoski-Telushi-Sota ishin të pakalueshëm ndaj Tiranës dhe dhanë garanci të madhe, duke mos bërë asnjë gabim individual dhe fituar çdo duel me kundërshtarët. Formacioni fitues nuk ndërrohet dhe kështu pritet të ndodhë edhe ndaj Vllaznisë të shtunën në “Loro Boriçi”, ku Kolela pritet të zbresë me të njëjtin rreshtim, megjithëse mund të ndryshojë ndonjë emër.

Rexhepi është konfirmuar në portë, teksa dyshimet e vetme janë nëse Maget mund të fitojë sërish duelin me Hotin. Ndërkohë, në sulm mund të ketë një ndryshim, pasi Cara shkëlqeu në ndeshjen e fundit dhe mund t’ia marrë vendin Da Silvës. Nga ana tjetër, Mba e ka fituar tashmë besimin dhe pritet ta nisë nga minuta e parë sfidën ndaj Vllaznisë në llogari të Superiores.

Andi Hadroj pësoi një dëmtim në ndeshjen ndaj Tiranës dhe iu desh të linte fushën para kohe. Mungesa e tij do të ishte një dhimbje e madhe për Kolelën ndaj Vllaznisë. Burime nga klubi i kuq bëjnë me dije se fatmirësisht i riu nga Puka nuk ka pësuar diçka serioze.

Ai ka pasur vetëm një ngërç në pulpë dhe nesër pritet të bashkohet në stërvitje me gjithë grupin. Hadroj nuk e rrezikon ndeshjen me kuqeblutë dhe pritet ta nisë titullar sfidën e rëndësishme në Shkodër. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ka asnjë problem fizik dhe të gjithë janë në dispozicion të trajnerit Kolela për përballjen e ardhshme. Më në fund Partizani ka mbërritur në një pikë kur dëmtimet duket se janë lënë pas.