Kryetari i Komunës së Tuzit në Malin e Zi, Lindon Gjelaj, ka lëshuar një deklaratë të fortë ku bën të ditur se klubi i futbollit Deciq prej vitesh është shënjestër e sulmeve nacionaliste e shoviniste. Duke qenë se Federata malazeze nuk ka vepruar rreth kësaj, Gjelaj propozon që drejtuesit e klubit të ankohen në UEFA dhe FIFA.
Zyra e kryetarit të Komunës së Tuzit thekson se Komisioni Disiplinor i Federatë së Futbollit me vendimet e tij “tregoi se e inkurajon drejtpërdrejt këtë lloj sjelljeje”.
“Dhe në vend që, pas disa skandaleve të ngjashme, FSCG-ja (Federata e Futbollit e Malit të Zi) të tregojë me vendosmëri zero tolerancë ndaj racizmit, që është tendencë e vetë UEFA-s përmes fushatës “Say no to racism”, Komisioni Disiplinor me vendimet e tij tregoi se inkurajon drejtpërdrejt këtë lloj sjellje që nuk i shërben nderit as shtetit dhe as sportit në përgjithësi.
Si kryetar i Komunës së Tuzit, që është themeluese e KF Deçiqi, do të inicioj një takim me udhëheqësinë e klubit dhe koalicionin qeverisës për mundësinë e tërheqjes së klubit tonë nga Liga, sepse në vend të duartrokitjeve për sjellje korrekte të tifozëve tanë dhe përformancën sportive e treguar nga lojtarët në fushë, KF Deçiqi tash e disa vite është shënjestër e sulmeve më të ulëta nacionaliste dhe shoviniste.
Do t’i drejtohemi EUEFA-s dhe FIFA-s me propozimin të suspendimit dhe marrjes së masave të duhura kunder FSCG për mbështetje të racizmit dhe shovinizmit, urrejtje në baza kombëtare ndaj shqiptarëve, e cila manifestohet në vazhdimësi dhe që FSCG nuk i dënon në përputhje me rregulloren disiplinore”, shkruhet në deklaratë./newsport/