Nuk është vetëm Shqipëria vendi ku tifozët kanë humbur besimin te futbolli i pastër, qoftë sa u përket garave kombëtare, e gjithashtu përfaqësimit të klubeve në kompeticionet e UEFA-s.

Rasti më i fundit që ka tronditur Qipron është humbja 1-0 e klubit të njohur në vendin ishullor, Anorthosis Famagusta, pikërisht në ndeshjen e kthimit ndaj Laçit, të vlefshme për turin e parë të Ligës së Europës.

Një parashikim në kokë i rezultatit të LaçiAnorthosis (1-0, luajtur më 19 korrik), dhënë nga një faqe në “Facebook” që u vjen në ndihmë bastexhinjve, ka marrë përmasat e një skandali në vendin ishullor.

Mediat qipriote raportojnë se sikur të mos mjaftonte dështimi spektakolar në turin e parë, Anorthosis duhet të përballet tashmë edhe me akuza për trukim, që vijnë nga faqe “pirate” në rrjetet sociale.

Faqja “Consulence Sportive 24/7” në “Facebook”, në orën 15:27 të datës 19 korrik, ftonte bastexhinjtë të luanin në loto ndeshjen Laçi-Anorthosis me rezultat në kokë 1-0.

Madje, ky informacion shitej si 100 për qind i sigurt. Takimi niste në orën 17:00 në stadiumin e Laçit.