Te Tomori nuk ka qetësi. Një situatë e agravuar, teksa fillimisht pati bojkot dhe tre lojtarë të pezulluar. Në seancën e sotme stërvitore ka ndodhur më e rënda, teksa trajneri Bledar Devolli dhe Lisjan Hadaj janë kapur me duar.
Sigurisht që tanimë pritet përjashtimi i lojtarit, ndërkohë që për trajnerin Bledar Devolli vijimi i punës mund të bëhet i pamundur. Klima te beratasit nuk është aspak e mirë dhe tanimë drejtuesit duhet të ndërhyjnë dhe të vendosin pikat mbi “i”.
Lisjan Hadaj, i pari poshtë, nga e majta në të djathtë
ZANAFILLA E KONFLIKTIT – Në ndeshjen e së shtunës në Lushnjë, ku Tomori u mund 3-0, Hadaj u pa i mërzitur për shkak se gjirokastriti nuk e aktivizoi. Futbollisti 24-vjeçar që prej minutës së 66-të është larguar nga stoli.
Në atë moment Devolli bëri ndërrimin e tretë dhe për Hadajn nuk mund të kishte minuta. Kjo gjë nuk u prit nga beratsi, i cili jo vetëm la stolin, por pati një mesazh edhe për drejtuesit. “Hiqeni këtë (Devollin), ç’e mbani më!”, ishin fjalët e mbrojtësit, sikurse mëson “SportEkspres.com”.
Më pas erdhi pezullimi nga klubi për Hadajn, i cili ditën e sotme është paraqitur në stadium për t’u stërvitur veç. Ka përkuar që në të njëjtin orar të përgatitej edhe ekipi dhe para stërvitjes ka ndodhur përplasja mes mbrojtësit e trajnerit Devolli.