Trajneri i Çelsit, Tomas Tuhel, është detyruar që të përjashtojë nga stërvitja e sotme mbrojtësin Antonio Rudiger, pas një zënkë që ka shpërthyer mes tij dhe Kepa një ditë pas disfatës 5-2 në kampionat përballe Uest Bromuiç.
Humbja e djeshme i dha fund serisë së 14 ndeshjeve radhazi pa humbje të skuadrës së Tuhel. Por duket se ktheu tensionin në një moment kritik të sezonit, ku londinezët po mundohen të ruajnë vendin e katërt që të çon në Ligën e Kampioneve.
Gjithçka mendohet se ka nisur nga një ndërhyrje e vonuar e mbrojtësit ndaj portierit Kepa, i cili reagoi dhe më pas solli përleshjen mes të dy lojtarëve.
Kështu, Tuhel vendosi që të linte jashtë mbrojtësin dhe e largoi nga stërvitja që të qetësohej, duke u munduar që të normalizonte ambientin e trazuar në klub pas një humbje të papritur me ato përmasa ndaj një skuadre që lufton për mbijetesë. Mediat angleze raportojnë gjithashtu edhe se Rudiger ka kërkuar falje, por pritet të shihet nëse klubi do të ndërmarrë ndonjë masë ndëshkimore për futbollistin në fjalë. /vipsport/