Menjëherë pas humbjes shokuese me Egnatian, që e bën Dinamon të jetë me një këmbë në Kategorinë e Parë, stafi teknik dhe futbollistët kanë pasur një mbledhje në dhomat e zhveshjes të stadiumit “Elbasan Arena”.

Fillimisht pati një përplasje me tifozët e më pas një urdhër nga trajneri bëri që ekipi të kthehej sërish në dhomat e zhveshjes.

Për 45 minuta stafi dhe futbollistët qëndrojnë dhe bisedojnë për situatën që ka kapur klubin dhe më së shumti për humbjen e fundit, ku disa lojtarë akuzohen për mosimpenjimin e duhur.

MBLEDHJA

“Panorama Sport” zbulon se trajneri Rodolfo Vanoli dhe ndihmësit e tij kanë dashur të kuptojnë nga futbollistët se çfarë problemi ka që ata nuk shprehen si duhet në fushë.

Disa nga futbollistët me më shumë përvojë të Dinamos janë shprehur se skema e lojës me 3 mbrojtës nuk u përshtatet dhe se u krijon vështirësi në lojë.

Nga burimet pranë gazetës bëhet me dije se diskutimet kanë qenë me tone të qeta dhe jo me nervozizëm. Nga ana e trajnerit italian është thënë se pretendimi i lojtarëve nuk qëndron, pasi ata më parë kanë luajtur me katër mbrojtës dhe sërish janë mundur sistematikisht.

Blutë e nisën ndeshjen ndaj Egnatias me Mijën, Maliqin dhe Ali Samaken në mbrojtje, ndërsa në pjesën e dytë ky repart pësoi ndryshime të shpeshta, aq sa edhe Rimal Haxhiu përfundoi mbrojtës i majtë.

SOFRANAK-IMAMI

Titullarë si Aleksandër Sofranak dhe Eni Imami qëndruan në stol gjatë gjithë ndeshjes me Egnatian. Lënia në stol e dy mbrojtësve me përvojë u mendua fillimisht një zgjedhje e trajnerit Vanoli, por nga burime pranë klubit kryeqytetas gazeta ka mësuar se ata nuk ishin shprehur të gatshëm për të qenë në fushë, aq më tepër me rreshtimin me 3 mbrojtës.

Sipas klubit blu, mbrojtësi malazez i ka komunikuar stafit se nuk ndihej mirë fizikisht dhe mendërisht për të luajtur ndaj Egnatias.Po sipas klubit, e njëjta gjë vlen edhe për Imamin.

Sofranak në fakt ka pasur edhe më parë ankesa të kësaj natyre, por gjithsesi ka luajtur. Lojtarëve u ndalohet nga klubi të flasin për mediat dhe për momentin nuk është e mundur të mësohet edhe versioni i tyre.

Një situatë e nderë te blutë e kryeqytetit, ku priten masa të ashpra, nga gjoba deri te përjashtimet nga skuadra për pjesën e mbetur të sezonit. Nga burime në klub mësohet se sot pritet të nisë prishja e kontratave, teksa më i rrezikuari është Eni Imami.