Skënderbeu pësoi humbjen e dytë radhazi, teksa pasditen e djeshme u mund 0-1 nga Vllaznia. Të besuarit e Ilir Dajës nuk ishin në formën e duhur sportive, çka solli edhe zhgënjimin e radhës.

Skënderbeu krijoi rastet e veta, duke mos mundur të ishte efikas në pasimin final. Duket se humbja ndaj Vllaznisë ka sjellë një situatë të rëndë mes lojtarëve dhe tifozëve.

Në përfundim të ndeshjes, teksa lojtarët e Skënderbeut po i drejtoheshin dhomës së zhveshjes ka pasur debat dhe sharje nga tifozët. Mësohet se korçarët e kanë pasur me Nazmi Gripshin, duke mos u pajtuar dot me rezultain e ndeshjes.

Mes palëve ka pasur ofendime dhe sharje në distancë, çka ka krijuar një situatë të pakëndëshme në kampin e “Ujqërve”.

Situatë aspak normale, nisur kjo edhe nga bojkoti që lojtarët bënë këtë javë si pasojë e pagave të pashlyera, çështje që u zgjidh nga presidenti Takaj. /newsport/