8 lojtarë të Kamzës nuk kanë pranuar të zbresin në fushë për takimin me Partizani, i cili nis për disa minuta. “Supersport” raporton se arsyeja e këtij bojkoti ka të bëjë me vonesat e dhënies së rrogave.
Konflikti midis Bashkisë së Kamzës dhe presidentit Naim Qarri po dëmton seriozisht ecurinë e ekipit kamzali, teksa dhe në takimin me Tiranën, tekniku Gjoka arriti me shumë vështirësi të bindte lojtarët për të zbritur në fushë.
Ndërkohë lojtarët i kanë vendosur ultimatum presidentit se nëse nuk paguhen deri të mërkurën, ata nuk do të dalin më në stërvitje.
Mosbashkëpunimi me klubit dhe bashkisë ka të bëjë me financat, të cilat sipas presidentit Qarri Bashkia e Kamzës duhet të paguajë detyrimet e saj ndaj klubit.
Presidenti Qarri ka kërkuar që Bashkia të japë pjesën e vet të parave, që shkon në shumën e 200 milionë lekëve. Deri më tani presidenti ka shpenzuar 240 milionë. Ndërkohë lojtarët kanë vënë ultimatum që të paguhen.
Prej katër muajsh ata nuk marrin pagat mujore dhe presin deri të mërkurën që t’u kalojnë pagat që u takojnë. Kryebashkiaku Xhelal Mziu ende nuk ka kthyer përgjigje pas letrës së hapur që Qarri publikoi ditë më parë.