Erdhi në Shqipëri për herë të parë në janar të këtij viti kur firmosi një kontratë njëvjeçare me Vllazninë. Luajti në të gjitha ndeshjet e gjysmës së dytë të sezonit të kaluar por nuk arriti dot t’i ndihmonte ata të qëndronin në Superligë.

Jo vetëm kaq, por në verë pasi mori një ofertë nga Tirana, “plasi” të largohej nga Shkodra. Madje i çoi drejtuesit e këtij klubi deri në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve dhe në fund doli i lirë. Por, aktivizimi me bardheblutë nuk ka qenë ashtu si e mendonte.

Në kohën kur trajner ishte Ze Maria, ai luajti vetëm tre ndeshje si titullar dhe më pas përfundoi në pankinë. Me ardhjen e Memës, shqiptaro- maqedonasi nuk ka qenë shpeshherë në planet e trajnerit të ri. Madje, ka përfunduar edhe tek ekipi “B” ndërkohë që në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit, e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna.

Burime pranë klubit kryeqytetas bëjnë të ditur se Berisha nuk është në planet e stafit dhe nuk përjashtohet mundësia që “ta hedhin në rrugë”. Gjithsesi duhet pritur muaji janar për të mësuar të ardhmen e këtij lojtari nëse do të vazhdojë të luajë me Tiranën apo do të shohë ndonjë skuadër tjetër.
© shkodrasport.com