Legjenda e futbollit francez, ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka dhënë mendimin e tij për “Topin e Artë” 2018, se cili futbollist e meriton ta fitojë këtë çmim prestigjioz individual. Këtë, ai e bëri në intervistën e dhënë për një radio franceze (RMC).
Kujtojmë se fituesi i “Topit të Artë” do të shpallet më 3 dhjetor. Kandidati i tij për ta fituar çmimin prestigjioz është Raphael Varane. Qendërmbrojtësi francez, sipas tij, është i vetmi lojtar, që ka fituar gjithçka. “Ka vetëm një lojtar, që ka fituar Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës. Ai quhet Varane”, – tha Platini.
Ish-presidenti i UEFA-s vlerësoi punën e qendërmbrojtësit të Real Madridit, të cilit i referohet si “një lojtar i shkëlqyer, shumë i mirë”. Përveç kësaj, Platini rrëfeu se vota e tij do të kishte qenë për francezin: “Unë do të kisha votuar për të. Rezultatet janë e vetmja gjë objektive, çdo gjë tjetër është subjektive.
Nuk mund të neglizhohet produkti i Griezmann, Mbappé, Giroud, Lloris, Modric…, por i vetmi që ka fituar gjithçka këtë vit është Raphael Varane. Mos harroni se në vitin 2006 ishte një mbrojtës, Fabio Cannavaro, i cili e fitoi “Topin e Artë”.
Platini, gjithashtu, ndau opinionin e tij mbi fillimin shpërthyes të Mbappé dhe krahasimin që i është bërë atij me Pele: “Pele ka fituar tri Kupa Bote. Nëse Mbappé fiton tri Kupa Bote, atëherë mund të fillojë krahasimi mes tyre”./telesport/