Që prej pak më shumë se tre muajsh punojnë sëbashku dhe duket se marëdhëniet në mes tyre janë të shkëlqyera. E sheh këtë gjë nga mënyra si komunikojnë në stërvitje, si diskutojnë në ndeshje për vendime që duhen marrë për mbarëvajtjen e lojës apo dhe mënyra si festojnë sëbashku kur ekipi shënon.
Elvis Plori dhe Thomas Brdariç kanë gjetur tek njëri- tjetrin gjuhën e përbashkët dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kjo ka bërë që te Vllaznia gjërat të shkojnë mirë.
Trajneri shkodran që u rikthye në qytetin e tij pas disa vitesh “shtegtimi” nëpër Shqipëri, ndjehet mirë duke punuar përkrah gjermano- kroatit dhe në një prononcim për “Shkodra Sport” thotë se po mëson shumë gjëra prej tij.
Jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin që kam me trajnerin Brdariç. Ai është një menaxhues shumë i mirë i situatave, nuk është hera e parë që ka ardhur në Ballkan, sepse më parë ka drejtuar edhe Shkëndinë e Tetovës në Maqedoninë e Veriut, ka krijuar njëfarë baze, ka marrë njohuritë e duhura.
Brdariç është një njeri i thjeshtë, ka shumë kapacitete si një ish- futbollist i kombëtares gjermane dhe pika më e fortë e tij është menaxhimi i shkëlqyer dhe pastërtia në komunikim.
Ndihem shumë mirë duke punuar me të. Tashmë kam një përvojë në trajnim por e them me plot gojën se kam shumë se çfarë të përfitoj nga ky trajner. Thomas është një person i cili në momentet kur ne ndoshta ndikohemi nga faktorë të ndryshëm, ndërsa ai e merr shumë lehtë, me atë natyrën e një gjermani dhe na e lehtëson shumë punën.
Unë jam i bindur se ai është njeriu i duhur për ta drejtuar Vllazninë dhe unë shpresoj që kështu të ecim dhe të shkojmë aty ku dëshirojmë, aty ku janë objektivat e klubit”-ka deklaruar zëvendëstrajneri Plori./SHKODRA-SPORT.COM/